“Nëse nuk e bëni ju, do e bëjë tjetërkush”. Pas thirrjes së ditëve të fundit nga Ankaraja për investime turke kryeministri Edi Rama bëri një tjetër thirrje nga Londra, në samitin e gjashtë të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Duke hedhur në tavolinë një listë arsyesh, me pikë të përbashkët pohimin se “Shqipëria ka ndryshuar”, kryeministri Edi Rama kërkoi më shumë investime nga të huajt.
“Unë jam veteran i këtyre formateve sepse kam qenë i pranishëm qysh si ka lindur ky format para 10 viteve. Në 10 vite kanë ndryshuar shumë gjera, përveç sasisë dhe ngjyrës së flokëve të mi. Rajoni po ndryshon, bota po ndryshon, Shqipëria ka ndryshuar. Nga një vend me stigmën e një vendi të pasigurt, në një vend që vitin e kaluar ka shkuar në një shifër 10 milionë turistë”, tha Rama.
Është fakt i pamohueshëm që Shqipëria ka bëra hapa para në drejtim të përmirësimit të kushteve për të joshur pushuesit nga vendet tjera dhe kjo konfirmohet edhe nga shifrat. Por për përfaqësues të investitorëve të huaj, e njëjta nuk ka ndodhur edhe në drejtim të klimës për të thithur investime nga të huajt.
“Ndaj ne kërkojmë që Shqipëria të hapet. Të vërë në eficencë të gjithë legjislacionin. NE e kemi në letër, por nuk e zbatojmë. Ndaj nga shtete e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe apo Bashkimi Europian ka pak investime”, u shpreh Zenel Hoxha, Dhoma Britanike e Tregtisë,
Holanda është shteti kryesor për sa i përket investimeve, ndjekur nga Italia, Turqia, Austria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Kosova. Me gjithë hapat para, Shqipëria vijon të jetë pak e lidhur, veçanërisht me Britaninë e Madhe dhe shtete e tjera më ekonomitë më të forta europiane si Gjermania apo Franca. Situatë e ngjashme edhe me Shtetet e Bashkuara. Po çfarë ka ndodhur... është larguar Shqipëria apo shtetet euro-atlantike i kanë hedhur sytë diku tjetër?
“Nuk ka ndryshuar asgjë në aspektin e interesit euro-atlantik. Ndryshimet kanë ndodhur në vendin tonë. Kjo në drejtim të menaxhimit të burimeve ku mund të investohet me kryqëzimin e interesave të caktuar për të favorizuar investime të caktuara”, vijoi Hoxha.
Në anketën e këtij viti të zhvilluar nga Shoqata e Investitorëve të Huaj vlerësimi për klimën e të bërit biznes në vend u përmirësua me 6 pikë në raport me një vit më parë. Megjithatë treguesi prej 46 pikësh, nga 100 të mundshme mbeti sërish poshtë mesatares. (A2 Televizion)