Nga 1912 deri sot, metamorfoza e hartës territoriale-administrative në gati 113 vitet e shtetit shqiptar

Nga Marjo Brakaj
15 Shtator 2025, 16:17 | Ekonomi

Fshat e krahina, prefektura dhe nënprefektura para Luftës së Dytë Botërore, rrethe, qytete, lokalitete gjatë komunizmit apo njësi administrative, bashki e qarqe në tre dekada e gjysmë tranzicion...ndarja administrative dhe territoriale e Shqipërisë ka pësuar ndryshime të vazhdueshme përgjatë të gjithë ekzistencës si për sa i përket shtrirjes gjeografike ashtu edhe funksioneve të strukturave.

E fundit ishte në fund të korrikut 2014. Socialistët e sapoardhur në pushtet ndërmorën në Reformën Administrative-Territoriale e cila u miratua me 88 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim, pa praninë e Partisë Demokratike. Nga 373 njësi të qeverisjes vendore, 65 bashki dhe 308 komuna, numri u tkurr në vetëm 61 bashki dhe 12 qarqe.

Organizimi administrativ-territorial i vendit është drejtpërdrejtë i lidhur si me cilësinë e qeverisjes, si me sistemin zgjedhor. Deri në vitin 2014 një qytetar mund të paraqitej në komuna për të marrë shërbimeve administrative apo sociale, si dhe të paraqiste kërkesa apo ankesa. Por shpërndarja jo e pabarabartë dhe i padrejtë, mosrespektimi i buxhetimit me pjesëmarrje dhe burokracitë shpeshherë pengonin marrjen e këtyre shërbimeve . Për shkak edhe të ligjit me të cilin vepronin ish-komunat dhe bashkitë, këto të fundit ofronin shërbime të ngjashme. Reforma bëri që shërbime si arsimi parauniversitar, mbrojtja nga zjarri, ajo sociale, administrimi i pyjeve, rrugët, ujitja dhe kullimi, apo klubet shumë-sportëshe të kalonin në administrimin e bashkive. Gjithashtu shërbimet rurale dhe ato bujqësore u bënë pjesë e bashkive. Ndarja administrative-territoriale synonte ndër të tjera rritjen e cilësisë dhe eficencës së shërbimeve dhe uljen e kostove.

Me synimin për të përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve, duke reduktuar numrin e punonjësve dhe për rrjedhojë kursyer fonde publike, qeveria ndërmori në vitin 2014 reformën administrative-territoriale, që uli ndjeshëm numrin e njësive vendore nga 373 në 61 bashki.

Në atë kohë, zyrtarë të shumicës qeverisëse e paraqitën reformën si një hap historik, duke premtuar qindra milionë euro kursime që do të përdoreshin për të modernizuar shërbimet dhe për të rritur cilësinë e jetesës së qytetarëve.Një dekadë më pas, bilanci mbetet i debatueshëm. Nga njëra anë, bashkitë kanë një strukturë më të konsoliduar dhe më shumë kompetenca, por nga ana tjetër, sfidat ekonomike dhe menaxheriale mbeten të mëdha.

Analiza tregon se, megjithëse numri i punonjësve është reduktuar në disa zona, shpenzimet për paga nuk janë ulur në mënyrën e pritshme, duke ngritur pikëpyetje mbi efikasitetin e reformës.

Në shumë bashki, borxhet e akumuluara janë rritur ndjeshëm, duke vënë në rrezik qëndrueshmërinë financiare të njësive vendore Furnizimi me ujë vijon të mbetet problematik, sidomos në bashkitë rurale, ku një pjesë e popullsisë ende nuk ka akses të rregullt në ujë të pijshëm. Ndërkohë, menaxhimi i mbetjeve është një tjetër plagë e hapur: mungesa e investimeve dhe dobësitë në organizim kanë sjellë kosto të larta dhe pak eficiencë, me shumë zona që ende përballen me probleme të rënda mjedisore. Në këtë kontekst, lind pyetja: a ia ka dalë reforma të përmbushë pritshmëritë e vitit 2014, apo ka mbetur një projekt gjysmë i realizuar?

Duke iu përgjigjur interesimit të A2 CNN, Komisioni Evropian dha këtë përgjigje për ecurinë e reformës administrative-territoriale në mbi një dekadë batim.

Njësitë vendore vijojnë të përballen me mungesë burimesh financiare të qëndrueshme dhe kapacitete të kufizuara administrative, çka rrezikon autonominë e tyre fiskale. Si pasojë, ofrimi i shërbimeve publike cilësore në nivel lokal mbetet i kufizuar. Një tjetër problem është diferenca e madhe e pagave midis punonjësve të administratës qendrore dhe asaj vendore, por edhe mes bashkive të mëdha dhe të vogla. Përmirësimi i efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies në menaxhimin e burimeve njerëzore është thelbësor, ashtu si edhe zbatimi i planeve të integritetit lokal në të gjitha bashkitë.

Komisioni Europian

Rruga në të cilën është ecur prej vitit 2015 zor se të çon në Bashkimin Europian.

Pozitivisht, në 43 nga 61 bashki janë ngritur komisione të këshillave bashkiakë për integrimin europian, por nevojiten përpjekje të koordinuara për të rritur ndërgjegjësimin mbi rolin e pushtetit vendor në procesin e integrimit në BE dhe për të ndërtuar kapacitetet administrative që do t’u mundësonin bashkive përfitimin e fondeve të BE-së.

Komisioni Europian

Më herët, në vitin 2022 me kërkesë të opozitës, me pretendimet se reforma e kryer në vitin 2014 në mënyrë të njëanshme nga socialistët dhe disa parti të vogla nuk kishte funksionuar siç duhet në raport me decentralizimin e shërbimeve apo menaxhimin e fondeve u ngrit komisioni i posaçëm bipartizan. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike që kryesohej asokohe nga Enkelejd Alibeaj kërkonte një rindarje administrative me 92 bashki dhe shkrirjen e 12 qarqeve në 6 rajone.

Propozimi u rrëzua nga socialistët në Parlament. Këta të fundit janë për pakësimin e numrit të njësive të pushtetit vendor. Rishikimi i reformës administrative-territoriale u vulos nga kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të kabinet të ri qeveritar. Në krye të komisionit për rishikimin e reformës do të jetë Arbjan Mazniku, i cili mbante detyrën si Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor.

Kjo me shpresën se kësaj here do të gjendet një zgjidhje për të frenuar braktisjen e fshatit, për të rritur autonominë financiare të pushtetit vendor dhe për t’u dhënë qytetarëve atë që u është premtuar prej kohësh: një administratë që punon për ta dhe jo për vetveten.

Në vitin 2014, kur u hartua reforma administrative-territoriale, ajo u mbështet në të dhënat e censit 2011, kur Shqipëria kishte më shumë banorë dhe fshatrat ishin ende të gjallë.

Por dhjetë vite më pas, realiteti ka ndryshuar. Censi i vitit 2023 tregon një Shqipëri më të vogël në numër, me mijëra familje që kanë braktisur fshatrat për qytetet apo emigracionin, duke lënë pas rrugë bosh dhe shtëpi të mbyllura. Në shumë zona, bashkitë janë mbetur pa njerëz për t’u shërbyer, por jo pa borxhe dhe sfida. Ky ndryshim sjell një pyetje të madhe: a ka ende kuptim harta me 61 bashki, apo njësitë vendore duhen riorganizuar sipas realitetit të ri demografik?

Më shumë se një dekadë më parë, reforma administrative u vizatua si një premtim i madh, një hartë e re që do të sillte zhvillim dhe shërbime moderne për çdo cep të vendit. Por sot, kjo hartë është larg asaj që u premtua. Rishikimi i reformës nuk është vetëm një proces teknik për të rregulluar bashki dhe kompetenca. Është një sfidë kombëtare, për të vendosur nëse pushteti vendor do të bëhet më afër qytetarëve, apo do të mbetet një strukturë që ekziston vetëm në letra. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos