Një kolaps teknologjik në sistemet kompjuterike të aeroporteve dhe institucioneve financiare në botë ka përcjellë efektet edhe në Rinas. Kryesisht nga Italia, Gjermania dhe Austria, udhëtarët janë përballur me vonesa nga 45 minuta e deri në 3 orë.
“Kemi pritur për dy orë në aeroport. U nisëm nga Bolonja. Na thanë se kishte problem me sistemin “check in”. U bënë të gjitha manualisht.”
“E kemi pasur nisjen në orën 06:00 të mëngjesit por check in e kemi bërë pas orës 8. Nga ora 10 kemi hipur në avion dhe jemi nisur.”
Veç shqiptarëve që kthehen në atdhe për pushime, në fluturimin e saj të parë në Tiranë, me vonesa u përball edhe e reja italiane Letizzia.
“Avioni u nis me vonesë. Duhet të niseshim në 9 pa një çerek të mëngjesit por shkoi gati ora 12:00 e mesditës ku u nisëm.”
Vonesa në nisje të fluturimeve ka pasur edhe nga Polonia.
“Duhet të ishim nisur në 08:00 por u nisëm në 11:30. Na thanë vetëm se kishte disa probleme me sistemet kompjuterike. Pati disa destinacione të tjera, fluturimet e të cilave u anuluan fare.”
Në një njoftim për shtyp, Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit njoftoi se sistemet e tij nuk ishin prekur, por po përballej me vonesa në fluturime për shkak të "black out në aeroportet e tjera”.
“Pavarësisht se sistemet tona nuk janë prekur, fakti që të gjithë jemi të lidhur me të gjithë në një mënyrë na bën edhe ne të prekur. Pra nëse Gjermania ka probleme, një avion nga Shqipëria nuk mund të niset pasi do të përballej me probleme. Po ashtu kjo vlen për të gjithë botën”, tha Besmir Semanaj, ekspert IT.
“Ndërkohë kompanitë që operojnë në Rinas, ftojnë qytetarët që hasin probleme në aksesimin e faqes web apo aplikacionit, të paraqitet fizikisht në sportelet e tyre në Rinas për të marrës shërbimin fizikisht dhe pa kosto.” (A2 Televizion)