Një në tre shqiptarë jetoi në kushte të vështira ekonomike gjatë vitit të shkuar. Kjo, sipas Avokatit të Popullit, për shkak të nivelit të ulët të ndihmës ekonomike, pagave dhe buxheteve të kufizuara të bashkive për mbrojtjen sociale.
Eriola Hoxha, pedagoge ekonomie, u shpreh për A2: “Ky raport nuk ka lënë pa përmendur dhe pa detajuar gjithashtu se 43,9% e popullsisë shqiptare është në prag të futjes në nivelin e varfërisë. Ndërkohë, 22% e popullsisë në shkallë vendi cilësohet si plotësisht e varfër”.
Në raportin e vitit 2024, Avokati i Popullit vlerëson se varfëria në Shqipëri nuk është vetëm mungesë e të ardhurave, pra e të pasurit më pak se 5,5 dollarë në dispozicion në ditë. Shkalla e lartë e varfërisë, sipas institucionit që ka në fokus të drejtat dhe liritë e individëve, vjen edhe nga mungesa e shërbimeve dhe pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në jetën publike.
“Shifrat e varfërisë, me popullsinë më të madhe të vendit që jeton nën minimumet jetike tregon se situata është shumë alarmante dhe e përkeqësuar në raport me vitet e mëparshme”, deklaroi më tej Hoxha.
“Varfëria si shkak, por edhe si pasojë e shkeljeve të të drejtave të njeriut, duhet të adresohet në kontekstin e detyrimeve të shtetit për respektimin e garantimin e të drejtave të njeriut”, thuhet në raport.
Theksi vihet veçanërisht te të moshuarit: “Këta individë përballen me vështirësi serioze në sigurimin e të ardhurave minimale të mjaftueshme, për të përballuar kostot e jetesës dhe të medikamenteve të nevojshme, në përputhje me nevojat e tyre shëndetësore. Në këtë kuadër, ndonëse shpërblimi i pensionistëve për festat e fundvitit përbën një formë mbështetjeje të mirëpritur, ai mbetet simbolik dhe nuk zëvendëson nevojën për një rritje të qëndrueshme dhe të mjaftueshme të pensioneve”.
Vlerësim të njëjtë ndajnë edhe ekspertë të ekonomisë: “Qeveria duhet të shfrytëzojë ecurinë e mirë e mbledhjes së të ardhurave për të rishpërndarë një pjesë të tyre te shtresat më në nevojë. Vendi duhet të nxirret nga varfëria dhe nuk duhet të jenë këto tregues të mirëqenies sonë të pa mirëqenë”.
Me qëllim zbutjen e varfërisë, Avokati i Popullit përsërit thirrjen drejtuar qeverisë për të përcaktuar me ligj minimumin jetik. (A2 Televizion)