Teksa priten shifrat zyrtare të tremujorit të fundit të vitit që shkoi, papunësia deri ne shtator 2023 ishte 10.5%. Sipas një plani të qeverisë për reduktimin e vitpasvitshëm të saj, në 2026 parashikohet që niveli i papunësisë të jetë 9.5%. Në dokumentin e reformave ekonomike.
Specifikohet se qëllimi do të arrihet nëpërmjet rritjes së punësimit me 0.3% çdo vit, ku shërbimet të kontribuojnë më shumë në krahasim me sektorët e tjerë të ekonomisë.
Papunësinë më të lartë në vend e regjistrojnë të rinjtë e grup-moshës 15-29 vjeç. Të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë se për 3 mujorin e tretë të 2023, ky nivel arriti në 22%.
Janë kushtet e punës dhe pagesa, faktorët që i largojnë të rinjtë nga tregu i punës sipas ekspertëve dhe këtu, thonë ata, duhet të orientohet vëmendja e qeverisë.
Në dokumentin qeveritar pohohet se hendeku gjinor në punësim mbetet ende një problem. Niveli më i lartë i papunësisë në Shqipëri regjistrohet tek femrat me 11.1% ndërsa meshkujt në 10.1%. (A2 Televizion)