Një platformë elektronike për sektorin, zhvillohet Panairi Ndërkombëtar i Pasurive të Paluajtshme

Nga Marinela Lina
13 Qershor 2024, 17:48 | Ekonomi

Kthimi i vëmendjes si kurrë më parë në tregun e pasurive të paluajtshme ka bërë që ky sektor në Shqipëri të tërheqë gjithnjë e më shumë të huaj të investojnë.

Kjo tendencë në rritje nxiti dhe nevojën e zhvillimit për herë të parë në Shqipëri të panairit të pasurive të paluajtshme, me përfaqësues nga rajoni, Europa dhe më tej.

Ilda Zaloshnja, nga NAREA, shprehet për A2 CNN: “Në Shqipëri janë të ulëta me shtete të tjera të rajonit. Kur të huajt vijnë dhe shohin këto oportunitete, e shikojnë si mundësi për të investuar. Shumë inkurajuese, shpresojmë se do jetë një shifër në rritje. Investime të tilla ndodhin në zonat e bregdetit. Kemi shtetas polak që kanë investuar shumë në Shëngjin, Golem dhe Vlorë. Siç ka dhe shtetas të tjerë që kanë investuar në Sarandë”.

Në bumin e zhvillimit të këtij sektori, sfidat dhe problematikat vihen më në dukje të cilat sipas përfaqësuesve të tregut nuk po marrin ende zgjidhje. Reinaldo Pipiria, nga NAREA, deklaron: “Është momenti të shohim këtë barrë taksimi e cila padashje prodhon informalitet, evazione dhe efekte negative. Momenti i dytë ka të bëjë me dixhitalizimin, sidomos në kadastër, besojmë se është koha e duhur të dixhitalizohen titujt e pronësimit, por që në fund të kemi statistika”.

Rikthimi i rivlerësimit të pasurive të paluajshtme në 3%, nismë e deputetes Blerina Gjylameti, pritet të kalojë të mërkurën e ardhshme në Kuvend për diskutim. Por, nga ana tjetër, përballë kostove të larta, aktualisht blerja e një apartamenti për strehim nga qytetarët shqiptarë po bëhet i pamundur. Këtë e tregon edhe drejtori i Entit Kombëtar të Banesave, Stefan Çipa: “Nga 2007 e deri më tani u ka dhënë qytetarëve, por dhe banorëve që nuk kanë mundësi për të dalë në treg për banesa, mbi 1100 apartamente, ndërsa kreditë me pushtetin vendor shumë më tepër. Është mbi 60% e popullsisë në Shqipëri që nuk kanë mundësi të marrin një strehim me kosto të lartë”.

Ngritja e një platforme elektronike për përfshirjen e të gjitha bizneseve të sektorit të pasurive të paluajtshme është nisma e radhës që ky sektor do të ndërmarrë në vijim, ku të gjithë qytetarët do të kenë mundësi të studiojnë tregun. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos