
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte e pranishme në ceremoninë e prezantimit të projektit të parkut eolik në Tropojë një investim që po zhvillohet nga kompania amerikane CWP.
“Një projekt që lidhet me energjinë, por mbi të gjitha dëshmon qartë strategjinë tonë afatgjatë për zhvillimin e qëndrueshëm dhe përgjegjësinë ndaj brezave që do të vijnë në vendin tonë. Parku eolik i Tropojës nuk është thjesht një investim energjetik. Ai është një simbol i transformimit që po përjeton Shqipëria, një transformim drejt një ekonomie të qëndrueshme, më të fortë dhe më të hapur ndaj inovacionit. Ky projekt dëshmon se sektori energjetik shqiptar po hyn në një fazë të re, ku investimet private dhe investimet e huaja direkte po shndërrohen në motorë të rritjes, falë partneriteteve serioze dhe vizioneve afatgjata”, tha Balluku në fjalën e saj, përcjell A2.
“Shqipëria po kalon nga varësia pothuajse e plotë nga hidrocentralet deri para pak vitesh, në një model modern, të balancuar energjetik, ku diversifikimi i burimeve nuk është më një zgjidhje, por është domosdoshmëri strategjike. Ky tranzicion nuk është vetëm një ide apo premtim. Është një realitet që po merr formë çdo ditë, i matshëm me shifra konkrete, i matshëm me megavatorë, që ndryshojnë hartën energjetike të vendit”.
Balluku shtoi se që prej vitit 2018, Qeveria Shqiptare filloi të fliste për një strategji që do të bazohej mbi diversifikimin e burimeve, jo më varësi nga kushtet atmosferike, të motit. “ Ky tranzicion nuk është vetëm një ide apo një premtim, ai është një realitet që po merr formë çdo ditë, i matshëm me shifra. Investimet e huaja direkte janë treguesi më i qartë i besimit në stabilitetin tonë ekonomik dhe padyshim institucional. Sot, ky besim në Shqipëri është i dukshëm dhe i matshëm, pasi vetëm në kohët e fundit, në vitet e fundit, mbi 1.5 miliardë euro investime private janë angazhuar ose janë në proces në sektorin e energjisë, kryesisht në burime të rinovueshme, si energjia diellore dhe ajo e erës, gjithashtu edhe disa hidrocentrale me impakt të ulët mjedisor”, shtoi Balluku.
Sipas saj, gjatë këtyre viteve në tërësi në sektorin energjetik shqiptar janë angazhuar mbi 2 miliardë euro investime private, të përqendruara në burime të rinovueshme dhe sot vendi ka mbi 700 MW kapacitete të reja gjeneruese private fotovoltaike të instaluara dhe që ndodhen në operim, si dhe 400 MË kapacitete të shtuara vetëprodhuese.
Ajo vlerësoi kompaninë amerikane CWP, për besimin e treguar dhe kontributin e saj konkret në ekonominë shqiptare. “Dua t’i garantoj se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë padyshim do të jetë në krahun tuaj, ashtu siç ka bërë në këtë rrugëtim të gjatë, tani me marrjen e autorizimit për nisjen e fazës konkrete të ndërtimit të parkut eolik të Tropojës prej 600 MW prodhim. Një falënderim i sinqertë gjithashtu shkon për të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë, që kanë mbështetur reformimin e sektorit tonë energjetik, veçanërisht për Shtetet e Bashkuara të Amerikës për angazhimin dhe nxitjen e vazhdueshme të investimeve amerikane në energji, si dhe për të gjithë suportin e posaçëm për këtë projekt për të cilin jemi mbledhur këtu sot”, tha Balluku. (A2 Televizion)