E ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn kërkon që të shmangen investimet që paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Paralajmërimet, diplomatja i bëri nga mbledhja e Asamblesë së Dhomës Amerikane të Tregtisë.
Siguria ekonomike e Shqipërisë mund të cenohet nga përpjekjet e aktorëve globalë jo-miqësorë për të përdorur “financat” e vendit si mjet presioni politik. Shqetësimin e ngriti e ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn nga mbledhja e Asamblesë së Dhomës Amerikane të Tregtisë.
“Ne besojmë që është thelbësore të shmangen investimet që nuk janë në përputhje me prioritetet shqiptare ose më keq mund të paraqesin rreziqet për sigurinë kombëtare gjatë rrugës. Shpresoj që ju si shtylla të komunitetit të biznesit do të nxisni Shqipërinë t’i bashkohet vendeve të BE-së që kanë miratuar legjislacione për shqyrtim ose verifikimin e investimeve”, u shpreh Nancy VanHorn, e ngarkuara me Punë e SHBA në Tiranë.
Shqipëria po rregullon imazhin e saj në sytë e investitorëve të huaj, por duke mbetur gjithsesi në “vijën e kuqe” të vlerësimeve në drejtim të klimës së të bërit biznes. Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Grant Van Cleve kërkoi më shumë punë “për hatër” edhe të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është afër. Po a jemi ne realisht të përgatitur për atë që na pret? Na duhet bashkëpunim me qeverinë, na duhen organizime të tilla dhe na duhet që të inkurajojmë njëri-tjetrin. Unë personalisht dua t’iu inkurajoj”, tha Grant Van Cleve, president AMCHAM.
Ndërkohë Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja premtoi më shumë punë në drejtim të përmirësimit të klimës së investimeve të huaja.
“Duhet të jemi vendi më mikpritës i sipërmarrjes së huaj dhe asaj amerikane në veçanti. Për këtë arsye jemi duke çuar përpara me vendosmëri shumë reforma, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit", deklaroi Blendi Gonxhja, ministër i MEKI.
Në Indeksin e fundi të Besimit të Bizneseve mbi ecurinë e vitit të shkuar dhe pritshmëritë për në vijim të realizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, vendi u vlerësua me 47.57 nga 100 pikë të mundshme. Në krahasim me një vit më parë treguesi u përmirësua me 4.15 pikë. (A2 Televizion)