Shqipëria e “ka thyer” disa herë besimin, megjithatë Bashkimi Evropian vijon mbështetjen. Me gjithë skemën korruptive që Ilir Beqaj kishte krijuar teksa drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës... “unioni” pi i jep para SASPAC për të mbështetur vendin në rrugën e integrimit.
“Hapi i ardhshëm i Shqipërisë drejt forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe përputhjes me standardet e BE-së mishërohet në zbatimin e 43 projekteve të reja nën Programin IPA South Adriatic. Me 59 përfitues shqiptarë aktivë, këto projekte reflektojnë rolin në rritje të vendit tonë në rajon dhe përkushtimin tonë ndaj zhvillimit gjithëpërfshirës, inovacionit dhe qëndrueshmërisë. Kjo nuk është vetëm një përparim teknik dhe financiar, por një hap strategjik përpara në rrugëtimin europian të Shqipërisë”, tha Eridana Çano, Drejtuese e SASPAC.
Me një investim total prej 41 milionë euro, projektet u përzgjodhën nga 198 propozime dhe përfshijnë mbi 220 partnerë nga Italia, Shqipëria dhe Mali i Zi. Prej tyre, 57 janë përfitues nga Shqipëria.
“Këto projekte shërbejnë si një lloj akademie para-aksesioni, duke i mundësuar partnerëve të ndërtojnë aftësi të reja menaxheriale përditë. Përveç ndërtimit të kapaciteteve teknike, projektet ofrojnë një hapësirë praktike për të aplikuar dhe përmirësuar strategjitë e komunikimit, duke nënvizuar rëndësinë e bërjes së dukshme të përfitimeve reale për qytetarët dhe bizneset”, tha Gilles Kittel , Politika Rajonale dhe Urbane e Komisionit Evropian.
Synimi është të promovohet një rajon i Jugut të Adriatikut më i zgjuar, më i gjelbër, më i lidhur dhe më gjithëpërfshirës, me një qeverisje më të mirë, si dhe të intensifikohet bashkëpunimi në këtë zonë përmes veprimeve të përbashkëta ndërmjet aktorëve institucionalë dhe jofitimprurës në nivelet kombëtare dhe rajonale, duke nxitur një zhvillim të zgjuar, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, shkruan A2 CNN.
“Duke punuar së bashku, mund të forcojmë lidhjet tona dhe të përballojmë në mënyrë efektive sfidat e përbashkëta sociale, ekonomike dhe mjedisore. Këto projekte standarde të reja të miratuara, së bashku me projekte aktuale të shkallës së vogël dhe strategjike, premtojnë përfitime të prekshme që do të përmirësojnë cilësinë e jetës në gjithë Adriatikun e Jugut”, tha Miloš Marković, Bashkëpunim Territorial Evropian, Mali i Zi.
Nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar te Kontrolli i Lartë i Shtetit apo Agjencia e Inteligjencës Financiare.. Shqipëria po përpiqet që përmes angazhimit të këtyre institucioneve të “rregullojë imazhin” në sytë e Bashkimit Evropian për të rifituar besimin dhe mbështetjen financiare të këtij të fundit. Ministria e Financave ka hartuar dhe hedhur në konsultim publik Strategjinë Kombëtare Kundër Mashtrimit për Mbrojtjen e Interesave Financiare të Bashkimit Evropian, 2025-2030. (A2 Televizion)