Për mobilim, pushime apo urgjenca shëndeti, shqiptarët morën 400 milionë euro hua nga mikrofinanca

Nga Marjo Brakaj
19 Mars 2025, 15:09 | Ekonomi

Për të mobiluar shtëpinë, blerë pajisje elektronike, ikur me pushime apo për nevoja emergjente shëndetësore, shqiptarët morën 41 miliardë lekë ose rreth 410 milionë euro hua nga institucionet financiare jo-banka vitin e shkuar. Në raport me 2023-shin, kredia e dhënë nga “mikrofinanca” u zgjerua me 4 miliardë lekë apo 10.8 për qind.

“Nëse e shohim me numër klientësh, rezulton që këta të fundit të kenë marrë kredi 2 apo edhe tre herë brenda një viti për shkak të afateve të shkurta të shlyerjes. Pjesa më e madhe e huamarrjes ndodh në Tiranë, pasi pikërisht këtu është e përqendruar edhe masa më e madhe  e popullsisë”, tha Brunilda Iaai, sekretare e përgjithshme e shoqatës, “Mikrofinanca Shqiptare”, shkruan A2 CNN.

Pjesa më e madhe e këtyre huave iu dhanë bizneseve, ndjekur nga individët dhe buqit e fermerët. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se tanimë, kredia e dhënë nga mikrofinana po zë rreth 7 për qind të totalit të huave të dhëna gjatë 2024-s.

“Është konsiderueshëm. Nëse e krahasojmë me para 5 vitesh, mikrofinanca zinte 2 deri në 2 pik ca për qind dhe kjo tregon një rritje të konsiderueshme.”

Ulja e tavanit për kreditë nga mikrofinanca vlerësohet si shkak i rritjes së huamarrjes nga institucionet financiare jo-banka. Ndërkohë shpopullimi veçanërisht i periferisë ka ulur ndjeshëm numrin e klientëve nga zonat rurale.

“Mikrofinanca nuk kërkon kolateral apo kushte të tjera siç bankat tregtare kanë. Ndaj shumë zgjedhin këtë formë huamarrje. Besojmë se dhe 2024-a do të jetë pozitiv për mikrofinancën. Ka largime masive drejt Tiranës ose jashtë e ndaj jemi në këto kushte”.

Të dhënat e shoqatës, “Mikrofinanca Shqiptare” tregojnë se gjatë vitit të shkuar pati gjithsej 266 mijë e 442 klientë aktivë. Pjesa më e madhe, gati 159 mijë rezultojnë gra. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos