Shqipëria ka një varësi të madhe nga importi dhe rrjedhimisht, edhe nga vendet prej nga ku siguron pjesën më të madhe të produkteve që i nevojiten. Një varësi e tillë e ekspozon vendin tonë nga luhatjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht kur janë në trend rritës.
Të dhënat tregtojnë se Shqipëria realizon 57.4% të totalit të tregtisë së saj me vendet e Bashkimit Europian. Në këto tregje sigurohet 51.5% e importeve dhe 71.1% e eksporteve.
Por cilat janë vendet, me të cilat realizojmë pjesën dërrmuese të tregtisë, për të kuptuar kështu edhe gjeografinë e shkëmbimeve tregtare?
Partneri ynë kryesor tregtar është Italia me 27.8% të totalit të tregtisë, pasuar nga Kina me 8.5% të shkëmbimeve tregtare dhe Turqia, me 8%. Greqia është zhvendosur në vendin e katërt me vetëm 7.2%, duke humbur kështu në pozicion në raport me Shqipërinë.
Çfarë blejmë dhe shesim ne më së shumti në tregjet e huaja?
Shqipëria importon kryesisht makineri dhe pajisje, si dhe ushqime. Këto janë edhe dy grupet me peshën kryesore në totalin e produkteve që sigurojmë nga jashtë dhe që qartazi dëshmon për varësinë e madhe të vendit, si në drejtim të produkteve të konsumit të përditshëm si ushqimet, ashtu edhe për funksionimin e industrisë.
Por çfarë eksportojmë ne?
Rezulton se grupi kryesor i eksporteve janë tekstilet dhe këpucët, ato që ndryshe njihen edhe si fasonët, pasuar nga minerale, lëndë djegëse, si dhe materiale ndërtimi dhe metale.
(A2 Televizion)