Një në pesë shqiptarë sot është i moshuar. Nga rreth 2.4 milionë qytetarë në total, më shumë se 473 mijë janë mbi 65 vjeç.
Plakja, një fenomen që thërret për vëmendje dhe përgjegjësi, sjell sfida që kërkojnë zgjidhje të guximshme, shkruan A2.
Në këtë peizazh të transformuar, qeveria ka parashikuar të ndërmarrë disa hapa: me lehtësira fiskale, ndihma në energji dhe stimuj punësimi, duke u përpjekur të rindërtojë urat drejt një të ardhmeje më të mirë për brezin e të moshuarve.
“Të paktën 30,000 individë kontribuues në moshë pensioni përfitojnë nga stimujt, si rishikim i kornizës ligjore në drejtim të uljes së normave të tatimit për të ardhurat e të punësuarve në moshë pensioni; Bonuse për qëndrueshmëri dhe performancë; Mbështetje për pensione private; Fleksibilitet të orareve të punës”, thotë Qeveria.
"Me qëllim reduktimin e varfërisë për të moshuarit, një nga drejtimet është dhe krijimi i lehtësirave fiskale, të tilla si përjashtimi nga taksat për pronat e pasurive të patundshme të pronarëve të moshuar”, shton Qeveria.
Kjo do të thotë më shumë frymëmarrje për familjet që mbështeten në pensionet e tyre, duke ruajtur dinjitetin dhe sigurinë në shtëpitë ku kanë kaluar dekada: “Heqja e taksës vjetore për automjetet vetjake të të moshuarve 65+ dhe reduktimi i gjobave dhe kamat-vonesave”.
Në një Shqipëri ku numri i të moshuarve rritet çdo ditë, këto masa të qeverisë synojnë të ofrojnë ndihmë konkrete dhe mbështetje reale për këtë kategori në zhvillim, duke u përpjekur të përballojnë sfidat që sjell plakja e popullsisë. (A2 Televizion)