Këshilli i Ministrave miratoi sot programin kombëtar të praktikave të punës në administratën shtetërore dhe institucionet publike për profesionistë të rinj, me qëllim përfitimin e përvojës profesionale dhe zhvillimin e aftësive në sistemin administrativ.
Programi synon të përfshijë të rinj nga mosha 21 deri në 29 vjeç, të diplomuar në ciklin e parë ose të dytë të arsimit të lartë, që nuk kanë qenë pjesë e mëparshme e programit dhe që nuk kanë punuar më parë në administratë publike.
Programi përbëhet nga një periudhë praktike 3-mujore dhe një periudhë punësimi 1-vjeçar me kontratë, që njihen si përvojë pune gjatë rekrutimit, shkruan A2 CNN.
Gjatë praktikës, të rinjtë përfitojnë kompensim financiar prej 500 lekë në ditë dhe trajnim në Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA).
Institucionet pjesëmarrëse janë të detyruara të caktojnë persona kontakti dhe mbikëqyrës për praktikantët, ndërsa deri në 250 praktikantë përzgjidhen për punësim kontraktual në administratën shtetërore dhe institucionet publike.
Menaxhimi dhe koordinimi i programit realizohet nga ministria përgjegjëse për rininë, ndërsa Agjencia Kombëtare e Rinisë siguron fondet për kompensimin financiar dhe pagesat për trajnim.
Ky program ka për qëllim integrimin e profesionistëve të rinj në shërbimin civil dhe forcimin e kapaciteteve të administratës publike shqiptare. (A2 Televizion)