S'ka më firma "me dorë", gati nënshkrimi elektronik, shqiptarët si amerikanët

Nga Marjo Brakaj
4 Qershor 2025, 15:41 | Ekonomi

Për të aplikuar në universitet, hapur llogari bankare, regjistruar pronën apo kontrata qiraje e shit-blerje... shqiptarët nuk do të kenë nevojë të firmosin fizikisht për të kryer këto procese. Pas “identitetit digjital” që do të zëvendësojë kartat fizike, vendi po hedh një tjetër hap para drejt nënshkrimit elektronik për marrjen e shërbimeve. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka hedhur në konsultim publik projektligjin “Për identifikimin elektronik, shërbimet e besuara dhe portofolin e identitetit digjital”.

“Projektligji vendos përcaktime të qarta lidhur me nënshkrimin elektronik, vulat elektronike, shërbimin elektronik të regjistruar të transmetimit, autentifikimin e faqeve të internetit, arkivimin elektronik dhe vërtetimin të atributeve, menaxhimin e pajisjeve të krijimit të nënshkrimit elektronik, menaxhimin e pajisjeve të krijimit të vulës elektronike dhe regjistrat elektronikë në Republikën Shqipërisë si dhe vendos një bazë solide për ndërtimin dhe funksionimin e identitetit digjital në përputhje me standardet evropiane.”

Projektligji përcakton metoda të reja për identifikimin e aplikuesit për pajisjen me mjete të identifikimit elektronik duke reduktuar në këtë mënyrë proceset administrative që kërkojnë kohë.

“Projektligji synon përmirësimin e ofrimit të shërbimeve të besuara duke bërë të mundur një qasje më të lehtë dhe më të shpejtë në shërbimet e ofruara nga ofruesit e kualifikuar të shërbimit të besuar, me qëllim garantimin e besueshmërisë dhe sigurisë në përdorimin e shërbimeve të identifikimit elektronik dhe shërbimeve të besuara nga qytetarët, bizneset dhe administrata publike, për të hyrë në shërbimet online ose për të menaxhuar transaksionet elektronike në vend.”

Përdorimi i portofolit të identitetit digjital vlerësohet se do t’u mundësojë individëve dhe bizneseve akses të sigurt, të unifikuar dhe të ndërveprueshëm ndaj shërbimeve online, jo vetëm në territorin e Republikës së Shqipërisë, por edhe në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos