Qeveria ka vendosur të shtyjë afatet për projektin ambicioz turistik prej 1.4 miliardë eurosh në ishullin e Sazanit. Ky investim, i cili ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare, udhëhiqet nga Jared Kushner dhe bashkëshortja e tij, Ivanka Trump, vajza e Presidentit të SHBA-së. Shtyrja e afateve synon përmbushjen e të gjitha kritereve teknike për realizimin e këtij resorti luksoz.
Negociatat për investimin në ishullin e Sazanit vijojnë të mbeten në një fazë të ndërmjetme. Deri më tani janë zhvilluar dhjetë raunde bisedimesh mes përfaqësuesve të qeverisë, agjencive për investimet e huaja dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Palët kanë rënë dakord për shtyrjen e afateve, 120 ditë për dorëzimin e dokumentacionit dhe 60 ditë për negocimin, me mundësi zgjatjeje edhe me katër muaj të tjerë nëse nuk arrihet marrëveshja.
Një ndryshim i rëndësishëm lidhet me pastrimin piroteknik të ishullit. Mbetjet e municioneve luftarake të cilat kanë qenë prej periudhës së komunizmit fillimisht ishte parashikuar që të pastroheshin nga Effective Partners LCC, kompania e cila do të zhvillojë projektin atje. Por në fakt do të kryhen nga Ministria e Mbrojtjes.
Javën e kaluar, Rama tha se investimi i dhëndrit të Trump, në ishullin e Sazanit është ende në fazën e negociatave me shtetin shqiptar, por ajo çfarë zbuloi kryeministri Edi Rama nga Vlora është që projekti i ndërtimit ka pësuar ndryshime.
“Nuk e kemi përfunduar negociatën për Sazanin. Shteti shqiptar do të jetë pjesë e kompanisë së përbashkët që do të investojë dhe administrojë ishullin. Projekti ka ndryshuar si projekt ndërtimi. Do të ketë shumë pak ndërtime”, tha Rama, shkruan A2.
Operatorët turistikë pyetën Ramën nëse Sazani do të jetë ekskluziv për Jared Kushner dhe Ivanka Trump apo do të kenë mundësi që ishulli të vizitohet edhe nga turistë të tjerë: “Thonë që qeveria ia ka shitur ishullin familjes Trump. Është e pavërtetë. Nuk bëhet fjalë për të mbyllur ishullin. Nuk do të jetë një resort i mbyllur sepse nuk do bëhet rezervat i privilegjuar”. (A2 Televizion)