
Policia e Beratit ka goditur një grup kriminal që shiste droga të forta, duke vënë në pranga tre persona dhe ka ekzekutuar masën e arrestit në shtëpi për një 18-vjeçar. Në operacionin e koduar “Prova”, u sekuestrua një sasi kokaine, 7 celularë dhe 1 automjet.

Njoftimi i Policisë Berat
Si rezultat i një hetimi 6-mujor, finalizohet operacioni antidrogë, i koduar “Prova”.
Goditet një grup kriminal që shiste droga të forta, në Berat.
Vihen në pranga 3 pjesëtarë të grupit.
Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një tjetër pjesëtar.
Sekuestrohen sasi lënde narkotike Kokainë, 7 celularë dhe 1 automjet.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i një hetimi të kryer për 6 muaj, në koordinim me Prokurorinë e Beratit, me qëllim dokumentimin e veprimtarisë kriminale të disa shtetasve, të cilët në mënyrë të organizuar, shitnin droga të forta, në doza, në Berat, finalizuan operacionin e koduar “Prova”.
Në kuadër të këtij operacioni, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, u ekzekutuan në bashkëpunim me forcat e posaçme Operacionale dhe “Shqiponja”:
-masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit S. S., 46 vjeç, A. A., 30 vjeç dhe T. B., 38 vjeç;
-masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetasin K. S., 18 vjeç, të gjithë banues në lagjen “Çlirim”.
Gjatë periudhës hetimore janë siguruar prova se 4 shtetasit siguronin dhe shitnin në doza, lëndë narkotike (kryesisht Kokainë), në lagje të ndryshme të qytetit.
Nga kontrollet e kryera në banesat e tyre, si dhe në automjetin e 46-vjeçarit, u gjet sasi lënde narkotike Kokainë e ndarë në dhjetëra doza të gatshme për shitje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)