Agjencia prestigjioze ndërkombëtare “Moody’s” vlerëson ekonominë shqiptare me perspektivë ngjitëse dhe sigurie në treg.
Në raportin e saj më të fundit, i publikuar më 8 Prill 2025, agjencia ka konfirmuar vlerësimin e Shqipërisë në “Ba3” me perspektivë “të qëndrueshme”, duke theksuar qëndrueshmërinë e profilit të kreditit të vendit. Kjo e bazuar falë reformave të vazhdueshme në kuadër të procesit të integrimit në BE dhe performancën ekonomike e fiskale, shkruan A2.
“Ekonomia shqiptare ka treguar rezistencë gjatë tri goditjeve të mëdha në periudhën 2019-2023, siç ishte tërmeti, pandemia dhe kriza energjetike evropiane, duke siguruar një perspektivë të qëndrueshme afatmesme. Agjencia, në këtë kuadër parashikon që rritja e PBB-së të mbetet e fortë me 3,8% në vitin 2025 dhe 3,4% në vitin 2026”, theksohet në raport.
“Moody’s” parashikon dhe një reduktim të mëtejshëm dhe gradual të borxhit publik në periudhën afatmesme. Raporti i borxhit publik ndaj PBB-së u ul në 57.5% në vitin 2023 dhe pritet të ulet në 53.7% deri në vitin 2026, i mbështetur nga rritja e fortë ekonomike dhe balanca fiskale primare.
Ky përmirësim është mbështetur nga reformat fiskale, si Strategjia Afatmesme e të Ardhurave dhe nga menaxhimi më i mirë i investimeve publike.
Gjithashtu, “Moody’s” thekson se “përmes respektimit të rregullave fiskale të përcaktuara në Ligjin Organik të Buxhetit, synohet mbajtja e një balanci primare i balancuar, si dhe ulja e raportit të borxhit të përgjithshëm qeveritar ndaj PBB-së, çdo vit derisa të arrijë në nivelin 45%”.
Agjencia parashikon gjithashtu se reformat për procesin e anëtarësimit në BE do të vazhdojnë dhe se zbatimi i tyre do të jetë gradual. Nga ana tjetër rreziqet e mundshme sa i takon likuiditetit qeveritar dhe sektorit bankar do të mbeten nën kontroll.
“Profili i kreditit të Shqipërisë do të vazhdojë të përfitojë nga financimi i BE-së dhe zbatimi gradual i reformave të mëtejshme të lidhura me procesin e anëtarësimit. Reformat, veçanërisht ato në fushë e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe llogaridhënies, ka të ngjarë të forcohet me avancimin e bisedimeve drejt procesit të anëtarësimit në BE”, thekson raporti.
Ky konfirmim i vlerësimit nga Moody’s është një tregues i rëndësishëm i progresit të Shqipërisë dhe një sinjal pozitiv për investitorët ndërkombëtarë, duke reflektuar qëndrueshmërinë ekonomike të vendit dhe menaxhimin efektiv përballë sfidave globale, nënvizoi Ministria e Financave në reagimin e saj. (A2 Televizion)