Punësimi i të rinjve, zhvillohet mbledhja e parë e IPA, ja qëllimi i programit

Nga A2 CNN
20 Qershor 2025, 16:44 | Ekonomi

Punësimi i të rinjve, zhvillohet mbledhja e parë e IPA, ja

Në ambientet e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit u zhvillua mbledhja e parë për këtë vit e Komitetit të Monitorimit Sektorial IPA, në kuadër të Programit Operacional “Punësimi i të Rinjve 2024–2027”.

Programi ka si qëllim kryesor përfshirjen e plotë të të rinjve në tregun e punës, me fokus të veçantë tek grupi NEET, të rinj të moshës 15-29 vjeç që nuk janë të përfshirë në arsim, punë apo trajnim.

Me një buxhet total prej 63.48 milionë euro, nga të cilat 50 milionë financohen nga Bashkimi Evropian dhe 13.48 milionë nga qeveria shqiptare, programi do të mbështesë tri fusha prioritare: rritja e punësimit të të rinjve; përmirësimi i arsimit dhe formimit profesional;  forcimi i kapaciteteve institucionale për zbatimin efektiv të programit, shkruan A2 CNN.

Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani, në fjalën e saj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për arritjen e objektivave të programit dhe për adresimin e nevojave të brezit të ri.

“Angazhimi ynë është i plotë për të ndërtuar politika të efektshme, transparente dhe me ndikim të drejtpërdrejtë për brezin e ri në Shqipëri”, u shpreh Manjani, shkruan A2 CNN.

Gjatë takimit u riafirmua angazhimi i përbashkët për krijimin e mundësive konkrete për punësim dhe trajnim profesional për të rinjtë shqiptarë, si dhe në forcimin e institucioneve për menaxhimin transparent dhe efikas të fondeve të BE-së.

Në tryezën konsultative morën pjesë përfaqësues nga institucionet bashkëdrejtuese të programit, përfshirë Koordinatorin Kombëtar të IPA-s, Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, si dhe aktorë të tjerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë të përfshirë në zbatimin e programit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos