Ndërlidhja energjetike e Shqipërisë, interkonjeksioni 400 kW me Maqedoninë e Veriut, po studiohet një e re me Greqinë

Nga Marjo Brakaj
20 Qershor 2025, 14:51 | Ekonomi

Pas Kosovës dhe Malit të Zi, Shqipëria do të ketë nga viti i ardhshëm ndërlidhje energjetike me linjë interkonjeksioni edhe me Maqedoninë e Veriut.

“Jemi ende në fazë ndërtimore, pothuajse kanë mbaruar punimet civile dhe po punohet me pjesën elektro-mekanike, ndërtimi i shtyllave dhe do të vijohet me shtrirjen e përcjellësit. Linja fillon këtu ku jemi, nga Fieri, në Elbasan dhe deri në kufi me Maqedoninë e Veriut. I gjithë projekti pritet të finalizohet në fund të këtij viti”, tha Julian Angoni, administrator i projektit.

Ky projekt që lidh përherë të parë sistemet energjetike të dy vendeve parashikon ndërtimin e linjës së re të transmetimit 400 kV midis Elbasanit dhe Qafë – Thanës, ndërtimin e linjës 400 kV, Elbasani- Fier, ndërtimin e nënstacionit 400 kV Elbasan 3 dhe zgjerimin dhe përforcimin e nënstacionit Fier.

“Ky projekt do të thotë siguri nga ana energjetike, siguri në sistemin energjetik por edhe jemi të lidhur me të gjithë fqinjët.”

Pas Maqedonisë së Veriut, radhën e ka Greqia. “Me Greqinë po bëhet studimi për një linjë të re, por kemi edhe linjën ekzistuese nga Zemblaku, Elbasan, Tiranë dhe vijon për në Malin e Zi”, tha Dorjan Sejamini, drejtori i projekteve të huaja OST.

Paralelisht po punohet edhe për lidhjen nënujore me Italinë, ku institucionet shqiptare po kërkojnë fonde për të financuar studimin e fizibilitetit.

“Linja e interkonjeksionit elektrik mes Shqipërisë dhe Italisë është një kabllo nënujore me kapacitet rreth 600 MW, që lidh rrjetin shqiptar me atë italian. Kjo linjë, me gjatësi rreth 70-80 km, siguron shkëmbim energjie elektrike, rrit sigurinë e furnizimit dhe ndihmon Shqipërinë të integrohet më mirë në tregun evropian të energjisë. Ajo luan një rol kyç në zhvillimin e sektorit energjetik dhe promovimin e burimeve të rinovueshme në vend”, shtoi Sejamini.

Këto investime në rrjetin e interkonjeksioneve janë thelbësore për modernizimin e sistemit energjetik shqiptar, duke rritur stabilitetin dhe sigurinë e furnizimit. Ato gjithashtu i hapin rrugë Shqipërisë drejt integrimit të plotë në tregun energjetik evropian dhe zhvillimit të mëtejshëm të burimeve të rinovueshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos