Në prag të zgjedhjeve të 11 majit institucionet shqiptare zgjeruan me mbi 2 miliardë lekë detyrimet e prapambetura. Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë borxhet ndaj kompanive private për punë apo shërbime të kryera në fund të marsit arritën në mbi 9.4 miliardë lekë.
Në raport fund-vitin e shkuar detyrimet e prapambetura rezultojnë të jenë zgjeruar me 2.1 miliardë lekë apo rreth 28 për qind.
“Për fat të keq vit zgjedhor, dhe viti zgjedhor gjithnjë prish ekuilibrat fianciarë dhe ekonomikë. Institucionet janë të prirura të shpenzojnë para aty ku mund të joshen votuesit”, tha për A2 CNN, Suzana Guxholli, eksperte për ekonominë.
Të dhënat nga “Financat” tregojnë se pjesa më e madhe këtyre detyrimeve iu takon institucioneve të pushtetit vendor, bashkive me gati 4.2 miliardë lekë, ndërsa 3.8 miliardë lekë i takojnë pushtetit qendor.
“Detyrimet e prapambetura janë një problem serioz për menaxhimin e buxhetit të shtetit, por për qeverinë ato shihen si një mënyrë për të rritur borxhin e fshehur, për të kryer investime ndonëse nuk kanë para’ në gjendje”, shtoi Guxholli.
Nisur nga fakti që detyrimet e prapambetura janë kthyer në një problematikë që nuk po merr zgjidhje, “financat” e kanë përcaktuar si përparësi shlyerjen e tyre në harkun e viteve 2025-207.
“Është kthyer në kulturë për shkak të pandëshkueshmërisë. Ndonëse ka një bazë ligjore, askush nuk e respekton atë duke bërë që të gjithë të humbasim nga mos-kryera e këtyre pagesave.”
Pjesa më e madhe e detyrimeve të prapambetura deri në fund të marsit, gati gjysma e totalit janë për investime të kryera. Lista pasohet nga shërbimet e marra, por të papaguara, vendimet gjyqësore dhe mallrat. (A2 Televizion)