Duhet të jenë shtylla kryesore e ekonomisë shqiptare, por të rinjtë janë grupmosha që kanë nivelin më të lartë të papunësisë. Fokusimi në studime, mungesa e tregut të punës, por dhe kërkesat për eksperiencë disavjeçare, e kanë çuar nivelin e këtij treguesi në 22% duke ja kaluar të gjitha grupmoshave në vend.
Imena Islamaj, studente në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, ka zgjedhur të mos punojë pasi nuk e sheh veten në këtë treg punë në kryeqytet. “Nuk jam e punësuar. Arsyeja mund të them që s’ka vende pune, s’të japin mundësi dhe çfarë bën, vazhdon shkollën dhe do shpresosh për më vonë”, thotë Imena Islamaj, studente gazetari.
Në kushtet kur biznesi po vuan për fuqi punëtore, situata duhej të ishte tërësisht ndryshe. Por të rinjtë janë të fokusuar drejt vendeve cilësore të punës.
“Në momentin që ta japin mundësinë thonë do bësh provë dhe në fund mund të mos japin punësim apo dhe një punësim të pjesshëm por mund të themi që nuk do punosh dot në profesionin tënd”, tha studentja.
“Patjetër që s’do zgjidhja një punë tjetër, përderisa unë po mbaroj shkollën s’do pranoja”, thotë Ambra, studente.
Teksa kategorizohen si grupmosha më e mirë për të ndihmuar ekonominë e vendit, niveli i të rinjve në forcat e punës rrjedhimisht qëndron dhe më i ulëti. Vetëm 57.5% e grupmoshës 15-29 vjeç janë të përfshirë në forcat e punës. Edhe pse ky tregues është rritur me 2,6 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022 përsëri qëndron më i ulëti. “Por nëse flasim për ata që kanë mbaruar kërkojnë më shumë eksperiencë pune, që se kemi. Kjo është arsyeja dhe pse të rinjtë të largohen përderisa unë po mbaroj shkollën pse jo mos të punësohem”, thotë Ambra.
Përballë një niveli të tillë papunësie qëndrojnë edhe të rinjtë e dekurajuar, të cilët përbëjnë 2,5 % të grupmoshës 15-29 vjeç. “Nëse është oferta më e mirë, do largohem jashtë shtetit”, thotë një tjetër student.
Niveli i papunësisë tek të rinjtë, në tremujorin e tretë ra vetëm me disa pikë përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. (A2 Televizion)