Përveçse një destinacion turistik veror, Shqipëria ende vijon të tërheqë turistë të huaj edhe në fillimvit. Rreth gjysmë milioni të huaj apo 29,8% më shumë turistë e vizituan vendin tonë në janar krahasuar me të njëjtën periudhë në 2023.
Rrahman Kasa, ekspert i turizmit, shprehet për A2 CNN: “Për faktin që ka më shumë rezervime, ka rritje të kërkesave më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar, tregon se jemi në rrugë të mbarë”.
Për pushim dhe vizita në pikat turistike erdhën 460 mijë të huaj. Pjesa tjetër për biznes e trajtime shëndetësore. Një pjesë regjistrohen edhe si udhëtarë tranzit. Historia dhe kultura mbeten faktorë kyç, sipas agjentëve turistik, në tërheqjen e turistëve edhe në këtë periudhë të vitit.
Fjorinda Zani, agjente turistike, deklaron: “Pjesa dërmuese janë italianë të cilët vijnë ndjeshëm për turizmin dentar, por shfrytëzojnë mundësinë edhe për të vizituar qytetet përreth, kryesisht ato historik”.
Ndalur në gjeografinë e origjinës së turistëve rezulton se më shumë të huaj vijnë nga Evropa, kryesisht ajo jugore me 420 mijë, pasuar nga ajo perëndimore dhe lindore. Por, në rritje janë edhe turistët nga Amerika, Lindja e Mesme dhe Azia. Bazuar dhe në prenotimet e kryera, bumi i vizitorëve, sipas agjentëve turistik, parashikohet të nisë në muajin mars.
“Ka filluar sepse ka kërkesa si individuale dhe nga grupet. Besoj nga marsi fillon intensivisht dhe arrin pikun në muajt e verës”, shprehet Zani.
“Rritja që kishim nga kontratat e garancisë për turizmin e organizuar pothuajse u reflektua si rritje e përgjithshme. Duke ju referuar shifrave, do kemi një rritje këtë vit me 30-40%”, shton Kasa.
Nga ana tjetër, edhe për shqiptarët janari rezulton një muaj i mbarë për pushime larg vendit. Më shumë udhëtuan qytetarë jashtë sesa pritëm vizitorë. Sipas INSTAT, rreth 644 768 shqiptarë vizituan vende të tjera, 18,9% më shumë se në janar 2023. (A2 Televizion)