“Rritet me 30.7% konsumi i energjisë në korrik”, Balluku sqaron situatën energjetike në vend

Nga A2 CNN
22 Gusht 2025, 16:12 | Ekonomi

“Rritet me 30.7% konsumi i energjisë në korrik”, Balluku

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi sot se konsumi i energjisë elektrike ka arritur nivele rekord gjatë sezonit turistik veror. Vetëm në muajin korrik 2025, konsumi u rrit me 30.7 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, ndërsa 13 gushti është shënuar dita me konsumin më të lartë historik, me 27,995 MWh.

“Të dhënat e rrjetit tregojnë një rritje të vazhdueshme të konsumit nga viti në vit. Konsumi i energjisë elektrike, krahasuar me një vit më parë, u rrit me 2.2% ose me 41,885 megavatorë. Krahasuar me vitin 2023 u rrit me 10.3% ose me 18,4151 megavatorë. Nëse do ta krahasonim me vitin 2019, si viti para pandemisë dhe krizës energjetike, në muajin qershor dhe korrik të vitit 2025 kemi një rritje respektive të konsumit mujor me 21.5% dhe 30.7%. E përkthyer në sasi energjie elektrike, rritja vetëm për këto dy muaj është sa konsumi i total i konsumatorëve familjarë për muajin Prill 2025 apo rreth 217,000 MWh.  Sa i përket konsumit ditor, mund të klasifikojmë hapur se dita me konsumin më të lartë në vend nuk i përket muajve të dimrit, por muajve të verës. Data 13 Gusht 2025 me një konsum prej 27,995 MWh, ka kaluar ditën që zakonisht është ajo me konsumin më të lartë në vend, 31 dhjetorin, e cila në fundin e vitit 2024 ka qenë 27,438 MWh. Konsumi mesatar ditor në vitin 2025 në rang vendi është 20,856 MWh, ndërkohë që në vitin 2024 ishte 20,610 MWh dhe në vitin 2023 ishte 18,593 MWh, rritje që tregon dukshëm zhvillmini e qëndrushëm ekonomik të vendit sidomos në dy vitet e fundit”.

Pavarësisht kërkesës më të madhe të regjistruar ndonjëherë, Balluku theksoi se furnizimi me energji ka vijuar normalisht dhe pa ndërprerje, edhe në zonat turistike. Ajo vlerësoi angazhimin e ekipeve të OST-së dhe OSHEE-së për përballimin e situatave të vështira, përfshirë rrezikun e zjarreve.

“Ka qenë një sezon i vështirë dhe për shkak të situatës së zjarreve që kanë kërcënuar në jo pak raste nënstacionet dhe linjat e transmetimit. Skuadrat e OST dhe OSHEE kanë qenë gjatë gjithë kohës në gatishmëri dhe janë angazhuar në mënyrë aktive në fikjen e zjarreve dhe mbrojtjen e aseteve tona energjetike. Ndaj dua të përgëzoj dhe të falënderoj të gjithë ata punonjës të cilët jo vetëm qëndruan në gatishmëri për të rivënë në punë rrjetin e ndikuar nga zjarret, por dhanë dhe ndihmën e tyre të drejtpërdrejtë në shuarjen e zjarreve, anembanë Shqipërisë”, u shpreh Balluku.

Ministrja bëri të ditur gjithashtu se humbjet teknike në rrjet kanë rënë me 1.45%, duke kursyer 21,699 MWh energji, çka ka mundësuar edhe uljen e çmimit të energjisë për familjarët me 10.5%.

“Ndërkohë, të dhënat e rrjetit të shpërndarjes, vijojnë të tregojnë trendin rënës të humbjeve në rrjet, çka ndihmon edhe më shumë në rritjen e performancës financiare, por dhe teknike të operatorëve të sistemit energjetik. 1.45% është shënuar rënia e humbjeve teknike në rrjet ose e thënë ndryshe janë kursyer 21,699 MWh. Ashtu siç e kemi bërë me dije 1% humbje të rikuperuara në 1 vit, ekuivalojnë në një kursim financiar rreth 7 milionë euro, duke forcuar kështu financat e sektorit e duke na dhënë mundësi të punojmë për ulje të mëtejshme të çmimit të energjisë për abonentët familjarë, pas uljes 10.5% që aplikuam në fillim të vitit 2025”, theksoi ministrja.

Balluku tha se rritja e konsumit e bën të domosdoshme forcimin e kapaciteteve të prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes, ndërsa Ministria po ndërmerr nisma për të siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe për të mbrojtur konsumatorët nga luhatjet e tregjeve ndërkombëtare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos