Emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali duhet ende të presin për të përfituar nga njohja e ndërsjellë e pensioneve.
Me gjithë “dokumentin final të Procesit Ligjor mbi zbatimin e Marrëveshjes” që kryeministrja italiane Giorgia Meloni solli në takimin e Samitit të VI-të të Komunitetit Politik të Evropës në Tiranë, zbatimi i saj kërkon ende pak kohë.
Kjo do të thotë se 1 qershori që kryeministri Edi Rama njoftoi si datën e nisjes së zbatimit të marrëveshjes nuk mund të realizohet. A2 CNN pyeti drejtorin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado i cili sqaroi se “nga data e shkëmbimit të akteve duket të kalojnë dy muaj që marrëveshja të bëhet e zbatueshme”.
Pra njohja e ndërsjellë e pensioneve do të ndodhë në muajin korrik. Në dokumentin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë vlerësohet se nga marrëveshja do të mund të përfitojnë rreth 500 mijë qytetarë shqiptarë dhe 4 mijë italianë.
Nga marrëveshja nuk do të përfitojnë jo vetëm përfituesit e pensionit të pleqërisë, por edhe ata invaliditetit. Gjithashtu do t’u njohën vitet e punës edhe invalidëve apo ata që kanë marrë leje si pasojë e sëmundjeve apo lindjeve.
Për të bërë të zbatueshme njohjen e pensioneve me Shqipërinë, Qeveria italiane ka parashikuar një fond prej 136 milionë eurosh për ta deri në vitin 2032. Buxheti i dedikuar nis me 7.6 milionë euro për vitin e parë të aplikimit dhe mbyllet me 20.3 milionë në fund të këtij planifikimi buxhetor.
Bashkë me Italinë, Greqia është shteti tjetër me numrin më të lartë të emigrantëve shqiptarë, mbi 670 mijë të tillë, ndjekur nga, Maqedonia e Veriut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Gjermania. (A2 Televizion)