“Secili për vete, Zoti për të gjithë!” Pensionet në qytet e fshat u rritën më pak se inflacioni tek ushqimet

Nga Marjo Brakaj
4 Prill 2024, 15:44 | Ekonomi

Pensioni mesatar në qytet vitin e shkuar ishte në vlerën 18 mijë e 341 lekë. Në krahasim me 2022-shin, pagesa mujore për të moshuarit u rrit me 991 lekë.

“Kemi punuar ku në Kukës, ku në Tepelenë si arsimtare dhe minimalen po marr”, thotë një pensionist. Në një kohë që pensioni mesatar në qytet u rrit me 5.7 për qind, inflacioni te ushqimet dhe pijet gjatë 2023-shit ishte 9.4 për qind. Pra të moshuarit kanë pasur edhe më pak të holla në xhepa për të jetuar.

“Ajo dihet, historikisht e botërisht që me aq të ardhura sa marrim ne nuk ja dalim dot për të jetuar”, thotë një pensioniste.

Edhe më pak u rritën pensionet në fshat. Një i moshuar në zonat rurale mori gjatë 2023-shit 11 mijë e 51 lekë. Krahasuar me 2022-shin, pagesa mujore u rrit me vetëm 702 lekë apo 6.8 për qind.

“A ka pasur disa përmirësime. Po ka pasur një kthim vëmendje, por këto janë të pamjaftueshme. 65% e tyre vuajnë nga sëmundje kronike, zemra, diabet etj...”, shprehet Faik Xhani, Kryetar i shoqatës “Bashkimi i Pensionistëve të Shqipërisë”.

Edhe rritja e pensionit në fshat rezulton më e ulët se sa shtrenjtimi i ushqimeve dhe pijeve gjatë vitit të shkuar.

“Këta deputetë po marrin votat e pensionistëve. Pse nuk i rrisin pensionet e të moshuarve lind pyetja”, thotë Xhani.

“Gjithsekush për vete.. Zoti për të Gjithë”, thotë një qytetar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos