Promovimi i një sistemi financiar më të integruar, më mbështetës për rritjen ekonomike në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJL) ishte në fokus të Forumit Vjetor të Iniciativës së Vjenës, një platformë e nivelit të lartë e organizuar nga Komisioni Evropian.
Në këtë takim që u zhvillua në Bruksel, mori pjesë edhe zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, së bashku me guvernatorë të bankave qendrore, përfaqësues të autoriteteve rregullatore dhe aktorë të rëndësishëm të sektorit financiar nga i gjithë rajoni.
Temë kryesore e forumit ishte projekti evropian “Unioni i Kursimeve dhe Investimeve”, që synon të mobilizojë më mirë kursimet e qytetarëve dhe t’i orientojë ato drejt investimeve produktive, për të stimuluar zhvillimin ekonomik në rajon.
Pjesëmarrësit diskutuan mbi sfidat e investimeve të dobëta në EQLJL pas krizës globale, nevojën për zhvillimin e tregjeve të kapitalit si alternativë ndaj financimit bankar tradicional dhe forcimin e mbikëqyrjes financiare dhe rritjen e besimit në tregjet vendore.
Rëndësi e veçantë iu kushtua edhe infrastrukturës së pagesave.
Një nga temat me rëndësi ishte zgjerimi i Zonës Unike të Pagesave në Euro (SEPA). Në këtë kontekst, u theksua se Shqipëria do të bëhet pjesë zyrtare e sistemit SEPA më 7 tetor 2025, duke mundësuar transferta më të shpejta dhe më të lira në euro drejt dhe nga vendet e tjera evropiane.
Ky zhvillim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt afrim më të madh të sistemit bankar shqiptar me standardet financiare evropiane.
Ahmetaj, në cilësinë e përfaqësueses së Bankës së Shqipërisë, riafirmoi angazhimin institucional për nxitjen e integrimit financiar rajonal, rritjen e aksesit në financë dhe zhvillimin e mëtejshëm të tregjeve të brendshme të kapitalit dhe instrumenteve financiare.
Ky forum vjetor shërben si një pikëtakim strategjik për të ndarë përvoja, politika dhe ide konkrete për ndërtimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme ekonomike dhe financiare në të gjithë rajonin. (A2 Televizion)