Nënsekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara dhe Administratori në Detyrë i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), Haoliang Xu, ka nisur një vizitë dyditore të nivelit të lartë në Shqipëri, me synim forcimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe UNDP-së, si dhe njohjen nga afër me kontributin e UNDP-së në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe në mbështetje të agjendës së anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ndalesa e tij e parë ishte vizita në shkollën “Emin Duraku” në Tiranë, ku morën pjesë edhe Ministrja e Arsimit, znj. Mirela Kumbaro, dhe Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, z. Silvio Gonzato.
Shkolla “Emin Duraku” është rindërtuar nga e para në kuadër të projektit EU4Schools, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNDP, në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë e Shqipërisë. Nga ky investim modern arsimor përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë 1,300 nxënës, 59 mësues dhe mbi 87,000 banorë të komunitetit përreth.
Deri më sot, projekti EU4Schools ka riparuar ose rindërtuar 62 nga 63 shkolla të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019, duke garantuar mjedise të sigurta, të qëndrueshme dhe bashkëkohore për nxënësit dhe mësuesit në të 11 bashkitë më të prekura nga tërmeti.
Gjatë vizitës, z. Xu zhvilloi një bashkëbisedim me nxënësit e shkollës, duke theksuar rëndësinë e edukimit cilësor si themel i zhvillimit të qëndrueshëm. Së bashku me përfaqësuesit e tjerë të pranishëm, ai dhuroi një set materialesh didaktike për nxënësit me aftësi të kufizuara, si shenjë mbështetjeje për përfshirjen dhe barazinë në arsim.
Gjatë qëndrimit në Shqipëri, z. Xu do të zhvillojë takime me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, anëtarë të kabinetit qeveritar, si dhe me partnerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë të zhvillimit. Diskutimet do të përqendrohen në përparimin e Shqipërisë drejt arritjes së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe përpjekjet e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Kjo vizitë nënvizon angazhimin e vazhdueshëm të UNDP-së për të mbështetur Shqipërinë në ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme e gjithëpërfshirëse – pa lënë askënd pas. (A2 Televizion)