Transporti publik i udhëtarëve dhe i turistëve po shkon drejt një reforme të re menaxhimi. Nëpërmjet vendimit të këshillit të ministrave, qeveria krijoi në fillim të muajit tetor shoqërinë “MobAl”, sh.a., e cila ka si objekt të veprimtarisë ndër të tjera operimin e shërbimit të transportit publik rrugor të udhëtarëve.
Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban ishin në dijeni të kësaj iniciative, por thonë se nuk janë bërë konsultimet e nevojshme me grupet e interesit.
“Ka 8 muaj si diskutim jozyrtarë. Kemi dërguar shkresa për informim, kemi kërkuar takime por nuk kemi shkëmbyer asnjë diskutim”, shprehet Dashnor Memaj.
Aktualisht licencimi i linjave ndërqytetëse certifikohet nga ministria e linjës ndërsa linjat urbane janë në varësi të bashkisë.
Përveç pikëpyetjes sesi do të funksionojë në vijim licencimi i operatorëve, operatorët private thonë se nisur nga eksperienca në të shkuarën ata kanë rezerva për funksionimin e kompanisë publike.
Në sektorin e transportit publik janë të punësuar afro 5 mijë persona dhe operojnë rreth 2750 mjete transporti të licencuara.
Çdo lloj ndryshimi ligjor i propozuar duhet të trajtohet me kujdes sipas përfaqësuesit të shoqatës së transportit publik pasi çdo “eksperiment” mund të ketë pasoje për familjet që kanë të punësuar në këtë sektor. (A2 Televizion)