Kush ka pasur të ardhura vjetore bruto mbi 1.2 milionë lekë gjatë vitit të shkuar, ka qenë qoftë edhe për një muaj i dy-punësuar ose ka pasur të ardhura mbi 50.000 lekë dhe nuk ka paguar tatim në burim duhet të plotësojë Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale brenda 31 marsit.
“Të dhënat janë dinamike dhe çdo ditë shtohet numri i individëve që plotësojnë dhe dorëzojnë Deklaratën Vjetore të të Ardhurave. Aktualisht janë mbi 50 mijë... 51 mijë individë që e kanë plotësuar këtë detyrim dhe ne presim që deri në fund të marsit numri të arrijë në 200 mijë”, u shpreh Rozana Çelmeta, Drejtoresha e procesit të biznesit në DPT.

Për herë të parë, nga ky vit, njërit nga çifti i prindërve që kanë fëmijë nën 18-vjeç do t’i zbriten automatikisht 48 mijë lekë nga baza e tatueshme kur të plotësojë Deklaratën e të Ardhurave Personale. Për prindërit me të ardhura vjetore jo më shumë se 1 milion e 200 mijë lekë në vit, do të aplikohen edhe shpenzimet e zbritshme për arsimimin e fëmijëve në masën maksimale 100 mijë lekë.
“Do të doja të sqaroja se nuk ka një shumë fikse e cila rimbursohet. Ajo varet nga niveli i të ardhurave, lloji dhe mënyra se si janë shpenzuar paratë vitin e shkuar”, tha Rozana Çelmeta, Drejtoresha e procesit të biznesit në DPT.
Pas dorëzimit të Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale, në sistemin e-filing në seksionin “çështjet e mija”, duhet plotësuar një formular i dytë për të përfituar rimbursimin duke bashkëngjitur edhe disa dokumente.

“Për ata që përfitojnë vetëm shpenzim të zbritshëm në masën 48.000 lekë për çdo fëmijë kërkohet një certifikatë familjare dhe një vërtetim bankar. Ndërsa për ata që kanë të ardhura më pak se 1.2 milionë lekë në vit dhe që përfitojnë nga rimbursimi i shpenzimeve arsimore, duhet të dorëzojnë edhe faturat që konfirmojnë këto shpenzime”, tha Rozana Çelmeta, Drejtoresha e procesit të biznesit në DPT.
Rimbursimi për fëmijët nën 18 vjeç mund të kërkohet të merret tani ose mund të tërhiqet në një moment të dytë, deri në 5 vitet e ardhshme. Për ata që aplikojnë tani, paratë do t’u kthehen në banka nisur nga muaji i ardhshëm.
“Nga muaji prill do të nisin pagesat në llogaritë e tyre bankare. Veç atyre që kanë fëmijë nën 18 vjeç apo ata që përfitojnë nga shpenzimet arsimore, rimbursimin e përfitojnë edhe një kategori tjetër individësh në varësi të të ardhurave dhe zbritjeve personale”, u shpreh Rozana Çelmeta.
Në raport me vitin 2024, pritshmëritë janë për të pasur 40 mijë individë më shumë që plotësojnë Deklaratën Vjetore të të Ardhurave. (A2 Televizion)