Çmimet mbeten të larta, por ritmi i rritjes po ngadalësohet. Inflacioni në maj bie pak, por qytetarët ende nuk ndiejnë lehtësim në xhepat e tyre. Ekspertët shpjegojnë arsyet dhe paralajmërojnë rreziqet e ardhshme nga zhvillimet ndërkombëtare.
Çmimet mbesin të larta, produktet po vazhdojnë të shtrenjtohen...vetëm se jo me vrullin e mëparshëm. Kështu mund të përmblidhet ecuria e çmimeve për muajin e muajin e shkuar. Inflacioni, treguesi i zhvlerësimit të parasë përballë rritjes së çmimeve ra në 2.2 për qind në maj, nga 2.3 për qind në prill. Në krahasim me majin e vitit të shkuar ai mbetet i pandryshuar.
“Janë efektet e inflacionit të importuar i cili duke qenë se ka një rënie në nivelet e eurozonës, por edhe më gjerë..,. te partnerët kryesorë të Shqipërisë. Arsyeja e dytë lidhet me kursin e këmbimit... zhvlerësimin e euros”, shprehet eksperti për ekonominë Adrian Civici.
Dalja në tregje e prodhimit vendas ka ndikuar gjithashtu në pasjen e një inflacioni në nivele të ulëta veçanërisht te produktet e konsumit. Treguesi ra në vetëm 3.2 për qind muajin e shkuar nga 3.8për qind që ishte në prill.
Pra, çmimet e frutave, perimeve, bulmetit, mishit e më gjerë vijuan ishin 3.2 për qind më të shtrenjta se majin e vitit2024. Lajmi i mirë është se ritmet e shtrenjtimit u ngadalësuan.
“U ngritën çmimet. Ok, dakord. Se u rrit nafta e hajde. Po nafta u ul. Prapë aty rrinë tek ai start", shprehet një qytetar.
Po pse nuk ulen më çmimet një herë që rriten?
“Çmimet kanë tendencën të përshtaten shumë më shpejt kur ka rritje kostosh, ndërsa kur kostot bien, tregu është më i ngadalshëm në reflektim. Kjo lidhet edhe me pritshmëritë e biznesit, mungesën e konkurrencës në disa segmente apo edhe zinxhirët e furnizimit që reagojnë me vonesë”, thekson pedagogu Ardian Civici.
Por qetësia në frontin e çmimeve mund të mos zgjasë. Ekspertët paralajmërojnë se kërcënimi i një vale të re inflacioni mbetet i gjallë, sidomos për shkak të zhvillimeve gjeopolitike në Lindjen e Mesme, Ukrainë, dhe tensioneve tregtare globale.
“Luhatjet në çmimet ndërkombëtare të naftës, rritja e kostove të transportit detar për shkak të konflikteve, si dhe tensionet në tregjet ushqimore, janë faktorë që mund ta kthejnë inflacionin në një rrezik të ri. Shqipëria është e ekspozuar ndaj këtyre zhvillimeve për shkak të varësisë nga importet”, shprehet Adrian Civici, pedagog, ekspert për ekonominë.
Edhe Banka e Shqipërisë, në deklaratat e fundit, nënvizon se rreziqet e jashtme nuk kanë kaluar, ndaj politika monetare dhe financiare mbetet në gatishmëri. (A2 Televizion)