Gati ndryshimi i buxhetit të 2025-ës, ministri Malaj prezanton në Komisionin e Ekonomisë aktin normativ

Nga A2 CNN
3 Qershor 2025, 15:30 | Ekonomi

Gati ndryshimi i buxhetit të 2025-ës, ministri Malaj prezanton në

Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi sot në komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat aktin normativ nr.3, datë 29.04.2025, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.115/2024 “Për buxhetin e vitit 2025”.

Ky rishikim i parë i buxhetit 2025, i miratuar në datën 29 Prill 2025 nga Këshilli i Ministrave, reflekton në buxhetin vjetor vetëm një ndryshim në zërin e të ardhurave dhe shpenzimeve, i cili siguron alokimin e një fondi prej 1 miliard lekësh pranë Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Fondi i është akorduar MEKI-t në cilësinë e aksionerit të vetëm të Korporatës së Investimeve Shqiptare, për financimin e pjesëmarrjes së qeverisë shqiptare në startup-in “Machine Thinking Lab”.

Gjatë fjalës së tij, Ministri Malaj theksoi se një investim i tillë duhet parë edhe nga pikëpamja e përfitimeve më afatgjata, qofshin ato ekonomike, por edhe të një historie suksesi që sipas tij, vjen nga një sipërmarrëse shqiptare me kontribut të rëndësishëm botëror në fushën e inteligjencës artificiale.

“Ky investim nuk duhet parë thjesht si një angazhim financiar, por si një mundësi strategjike për të ndërtuar të ardhmen teknologjike të Shqipërisë, për të pozicionuar vendin tonë si një pikë referimi për inovacionin në rajon dhe më gjerë, si dhe për të krijuar një ekonomi më të avancuar, të lidhur me tregjet globale të dijes dhe kapitalit”, u shpreh z. Malaj.

Qëllimi i qeverisë shqiptare, tha më tej Ministri, është të ndjekë modelet bashkëkohore dhe të rrisë përfshirjen e Inteligjencës Artificiale (IA), duke ndjekur shembullin e vendeve të tjera.

Nga ana tjetër, Ministri vuri në dukje faktin se akti normativ ruan të paprekur deficitin buxhetor, i cili pas ndryshimeve të mësipërme në të ardhura dhe shpenzime, vazhdon të qëndrojë në nivelin rreth 68 miliardë lekë, sikundër është miratuar edhe në buxhetin fillestar 2025.

Fjala e Ministrit Malaj:

Rishikimi i parë i buxhetit për vitin 2025, që u miratua nga Qeveria më 29 Prill 2025, në formën e një Akti Normativ, reflekton në buxhetin vjetor vetëm një ndryshim në zërin e të ardhurave e shpenzimeve, që siguron alokimin pranë Ministrisë përgjegjëse për Inovacionin (Ministria e Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit) të fondit prej 1 miliard lekë apo 10 milionë USD.

Efekti financiar, që u mbulua nga rritja në të njëjtën masë (pra, 1 miliard lekë) e të ardhurave jotatimore në zërin “Të ardhura nga tjetërsimi i pasurive të konfiskuara”, kjo, si rezultat i derdhjes në buxhetin e shtetit të të ardhurave të mbledhura nga ana e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar (AAPSK/MB), në zbatim të legjislacionit në fuqi për këtë qëllim.

Ky fond iu akordua MEKI-t në cilësinë e aksionerit të vetëm të Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH sh.a), për financimin e pjesëmarrjes së Qeverisë Shqiptare në startup-in “Machine Thinking Lab”, me një vlerë jo më pak se  10 milionë USD (1 miliard lekë), me afat brenda datës 29.04.2025, sipas edhe kërkesës së përcjellë po në të njëjtën datë.

Realizmi me urgjencë i këtij Akti Normativ erdhi edhe nga fakti se projekti duhej të financohej në një kohë sa më të shpejtë, me qëllim që të fillonte zbatimin dhe të siguroheshin përfitimet e nevojshme.

Të ndodhur në kushtet e një afati të ngushtë kohor në dispozicion, por edhe për shkak të rëndësisë strategjike të kësaj pjesëmarrjeje, të argumentuar teknikisht nga MEKI/KISH sh.a përmes shkresave të tyre respektive, Ministria e Financave përgatiti rishikimin e ligjit të Buxhetit për vitin 2025, me qëllim akomodimin e vlerës së përcaktuar, pjesë e programit “Mbështetje për Inovacionin dhe Teknologjinë”.

Angazhimi i qeverisë në këtë  nismë inovatore, përfitimi financiar që parashikohet të sjellë, si dhe përllogaritja e fondit të nevojshëm, janë aspekte që janë vlerësuar dhe konfirmuar nga strukturat përkatëse të MEKI-t dhe KISH sh.a, përgjegjëse për hartimin dhe zbatimin e politikave në fushën e Teknologjisë së Inovacionit.

Por, këtë investim ne duhet ta shohim edhe nga pikëpamja e përfitimeve më afatgjata, qofshin ato ekonomike, por edhe të një historie suksesi që vjen nga një sipërmarrëse shqiptare me kontribut të rëndësishëm botëror në fushën e inteligjencës artificiale, gjë e cila mund të shërbejë edhe si model për ata sipërmarrës të rinj shqiptarë, që sapo kanë nisur start up-et e tyre dhe duan të besojnë te një ide që nesër mund të kthehet në një biznes fitimprurës.

Thinking Machines Lab, start up-i i inteligjencës artificiale u themelua nga Mira Murati, ish-Drejtoreshë Teknologjike e OpenAI (organizata që krijoi ChatGPT) dhe ka në përbërje një ekip prej rreth 30 studiuesish dhe inxhinierësh nga OpenAI, Meta, Mistral dhe Character.AI, (përfshirë ish-drejtorin kryesor të kërkimit të OpenAI, Bob McGreë, dhe studiuesin kryesor për shumë nga modelet kryesore të inteligjencës artificiale të OpenAI, Alec Radford). Kompania mbështetet gjithashtu nga emra të mëdhenj si Andreessen Horowitz (A16z) – një nga fondet më të mëdha në Silicon Valley dhe Sequoia Capital, një investitor lider në teknologji, por edhe investitorë të tjerë individualë.

Padyshim një investim i tillë tërhoqi vëmendjen tonë dhe këtu e kam fjalën për Korporatën e Investimeve Shqiptare, e cila ka një fokus strategjik në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe që në rolin e Agjentit do të marrë përgjegjësinë për transferimin, investimin, monitorimin, raportimin mbi investimin, si dhe do të përfitojë një pjesë të kthimit nga investimi kur ai të realizohet.

E them këtë pasi ne vlerësojmë se potenciali zhvillues parashikohet të jetë shumë herë më i madh, duke qenë se aktualisht, Thinking Machines Lab po mbledh fonde nga investitorë të ndryshëm, me një objektiv prej 2 miliardë dollarësh. Deri tani, janë siguruar 1.7 miliardë dhe pritet që kjo kompani të ketë një vlerë prej 10 miliardë dollarësh e në të ardhmen në një shifër që mund të tejkalojë edhe 50 miliardë dollarë.

Nga ana tjetër, përfshirja e qeverisë shqiptare në këtë fazë të hershme ofron potencial të konsiderueshëm fitimi, veçanërisht nëse Thinking Machines Lab realizon një dalje të suksesshme në bursat ndërkombëtare (IPO apo blerje).

Në kontrast me kompanitë e tjera të AI-së që përqendrohen në modele të kufizuara ose jo të qarta, Thinking Machines Lab synon të zhvillojë AI që integron modalitete të shumta—tekst, pamje, audio dhe ndërveprim—në sisteme bashkëpunuese, që mund të shërbejnë si asistentë inteligjentë për individët apo bizneset.

Kompania po ndërton fillimisht mbi modelet themelore open-source, çka i mundëson personalizim, siguri, kuptueshmëri dhe sisteme që janë të afta të bashkëpunojnë me njeriun. Me kalimin e kohës, ekipi synon të kalojë drejt një strukture tërësisht të vetëzhvilluar të modeleve, nga fillimi në fund, çka do të sigurojë mbrojtje teknologjike dhe do të krijojë një bazë për një avantazh konkurrues të qëndrueshëm.

Gjithashtu nuk duhet të harrojmë se zhvilluesi kryesor, pra Mira Murati konsiderohet gjerësisht si një nga figurat më me ndikim në fushën e inteligjencës artificiale, pasi ka udhëhequr projekte të rëndësishme të OpenAI, si: ChatGPT, DALL•E, Codex dhe Sora. Ndaj, nëse arrin suksesin, produktet e saj do të mund të kenë zbatim të gjerë në industri, si: shëndetësia, ekonomia, arsimi dhe shërbimet për bizneset.

Këtë sukses të mundshëm ajo e bazon edhe te ekipi i saj, ku përfshihen talente kryesore në fushën e inteligjencës artificiale nga OpenAI, Meta dhe Google.  Gjithashtu me avancimin e këtij projekti, me rezultatet kërkimore që mund të arrihen, gjigantët e teknologjisë si Apple, Amazon, Meta ose Nvidia mund të jenë të gatshëm ta blejnë për talentin apo pronën intelektuale.

Janë të gjitha këto mundësi që mund të shfrytëzohen nga ana jonë dhe ta bëjnë Shqipërinë, një vend potencial për të rritur dukshëm profilin ndërkombëtar, si një vend që mbështet teknologjinë dhe inovacionin, duke e bërë tërheqës për investitorët, kompanitë dhe partnerët strategjikë që duan të investojnë në këtë fushë.

Përmes kësaj lidhjeje, do të mund të krijohen mundësi konkrete për bashkëpunime mes talentit shqiptar dhe një prej qendrave më të avancuara të AI-së në botë. Kjo mund të përkthehet në transferim njohurish, projekte pilot në Shqipëri, nisma edukimi dhe mbështetje për start up-e shqiptare në teknologji.

Si investim i hershëm në një kompani me potencial të jashtëzakonshëm, ekziston mundësia për kthime shumë të larta, të cilat mund të mbështesin fonde të reja për zhvillim teknologjik dhe inovacion kombëtar.

Ndaj, ajo që mund të themi është se ky investim nuk duhet parë thjesht si një angazhim financiar, por si një mundësi strategjike për të ndërtuar të ardhmen teknologjike të Shqipërisë, për të pozicionuar vendin tonë si një pikë referimi për inovacionin në rajon dhe më gjerë, si dhe për të krijuar një ekonomi më të avancuar, të lidhur me tregjet globale të dijes dhe kapitalit.

Ndërsa sa i takon aspektit  të ligjit të buxhetit 2025, ndryshimet e miratuara konsistuan në:

•             Rritjen me 1 miliard lekë të të Ardhurave Jotatimore, si rezultat i derdhjes në buxhetin e shtetit nga ana e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara/ AAPSK të të ardhurave nga tjetërsimi i pasurive të konfiskuara.

•             Rritjen me 1 miliard lekë të shpenzimeve kapitale në zërin “Financim i brendshëm” të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, me qëllim transfertën kapitale tek Korporata e Investimeve Shqiptare (KISH) sh.a, për financimin e pjesëmarrjes së Qeverisë shqiptare në projektin e investimit startup “Machine Thinking Lab”.

•             Ruajtjen e pa prekur të Deficitit Buxhetor, i cili pas ndryshimeve të mësipërme në të ardhura dhe shpenzime, vazhdon të qëndrojë në nivelin rreth 68 miliardë lekë, sikundër është miratuar edhe në buxhetin fillestar 2025.

Në përfundim të fjalës sime, dëshiroj të theksoj se qëllimi i Qeverisë Shqiptare është të ndjekë modelet bashkëkohore, si dhe të rrisë përfshirjen e Inteligjencës Artificiale (IA), duke ndjekur shembullin e vendeve të tjera. Projekte të tilla, mundësojnë shfytëzimin e kapaciteteve dhe talenteve ndërkombëtare dhe kjo mund të jenë një nisje e mirë për vendin tonë, i cili ende është në hapat e para dhe ende i ka të kufizuara burimet zhvillimore dhe kërkimore.

Megjithatë, angazhimet dhe përpjekjet tona janë konkrete, pasi Shqipëria ka nisur të hartojë politika dhe strategji për integrimin e IA në administratën publike dhe sektorët kyç të ekonomisë. Kjo qasje synon të modernizojë shërbimet publike, të përmirësojë qeverisjen digjitale dhe të nxisë inovacionin. Përdorimi i IA sjell përfitime të shumta për ekonominë, përfshirë rritjen e efikasitetit, uljen e kostove operacionale dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim profesional dhe investime në teknologji.

Përtej këtyre investimeve, në fokus të punës sonë do të mbetet edhe ruajtja  parametrave makroekonomikë e fiskalë.

Ministria e Financave do të vijojë të garantojë trajektoren rënëse të nivelit të borxhit publik në raport me PBB, në përputhje me rregullin respektiv fiskal të përcaktuar në Ligjin Organik të Buxhetit, si dhe të sigurojë vijimësinë e konsolidimit fiskal, qëndrueshmërinë afatmesme e afatgjatë të financave publike, si dhe stabilitetin makroekonomik në tërësi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos