Nga nafta e drithi, te energjia elektrike apo lëndët e para për industrinë, bashkë me anulimin e kontratave në turizëm... përshkallëzimi i konfliktit mes Izraelit dhe Iranit do të sillte efekte negative për ekonominë shqiptare.
“Duke qenë se sot bota është më e ndërlidhur se kurrë, gjithçka që ndodh në një cep, reflektohet në cepin tjetër të botës”, tha Fation Ceka, ekspert i tregjeve ndërkombëtare.
Lënda djegëse ishte e para që ndjeu efektet. Në tregjet botërore, nafta u rrit me 10 deri në 13 për qind. Nuk do të vonojë shumë që kjo ecuri të reflektohet edhe në Shqipëri, shkruan A2 CNN.
“Çrregullimi i tregjeve vijon të ndihet. Jo aq i fortë sa në fillim, por ne jemi të ndërgjegjshëm që po paguajmë më shumë. Kjo si pasojë e luftës.”, tha Elvin Meka, ekspert ekonomik.
Me temperaturat e larta në rritje nga njëra anë dhe mungesën e reshjeve nga tjetra, Shqipëria po shton importet e energjisë elektrike nga jashtë. Çrregullimi i tregjeve do të prodhonte rrjedhimisht çmime më të larta për energjinë.
“Me energjinë duket se kemi mësuar nga gabimet dhe po lëvizim më shpejt në drejtim të diversifikimit. Duhet të lëvizim drejt uljes së varësisë nga importet”, u shpreh Fation Ceka, ekspert i tregjeve ndërkombëtare.
Kjo në një kohë kur vatra e hapur e konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës vijon të jetë e ndezur.
“Për shkak të globalizimit, sot edhe vendi më i vogël, e jo më Ukraina që është territori më i madh në Europë, prodhon efekte. Tregjet janë shumë të ndjeshme dhe vetëkorrigjimi i tyre merr shumë kohë. Do të na duhet ende kohë për t’u stabilizuar.”, tha Elvin Meka, ekspert ekonomik. Për shkak të varësisë së lartë nga importi, efekte të ngjashme u përcollën edhe në Shqipëri.
“Çrregullimi i tregjeve vijon të ndihet. Jo aq i fortë sa në fillim, por ne jemi të ndërgjegjshëm që po paguajmë më shumë. Kjo si pasojë e luftës.”, tha Meka.
Në një raport të fundit të perspektivës globale, Banka Botërore paralajmëron se përshkallëzimi i konflikteve aktuale në Europën Lindore, pushtimi rus i Ukrainës dhe lufta në Lindjen e Mesme mund të përhapin në botë një valë të fortë, gati shkatërruese, krize çmimesh. (A2 Televizion)