Startup-et në fokus, Ibrahimaj: Digjitalizimi, rruga e vetme për një ekonomi më konkurruese

Nga Marjo Brakaj
15 Maj 2026, 16:10 | Ekonomi

“Transformimi digjital është e vetmja rrugë që ne kemi”! Ishte ky mesazhi kryesor i ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj nga takimi me sipërmarrjet i organizuar nga Dhoma Ekonomike e Diasporës në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të “Start Up”

 “Transformimi digjital është e vetmja rrugë e qëndrueshme për Shqipërinë nëse synojmë një ekonomi më konkurruese dhe më të integruar në tregjet europiane dhe globale. Ky proces nuk lidhet vetëm me teknologjinë, por me mënyrën se si ne modernizojmë administratën publike, përmirësojmë shërbimet për qytetarët dhe krijojmë një klimë më të favorshme për biznesin dhe inovacionin. Është një ndryshim strukturor që po ndodh dhe që duhet përshpejtuar.”, tha Ibrahimaj.

Sot vendi ka nevojë për hapa konkretë drejt modelimit të ekonomisë që ndërton bazën e duhur për brezat e ardhshëm. Dhe e ardhmja sot është digjitalja dhe zhvillimi i bizneseve të reja në këtë sektor, shkruan A2CNN. 

 “Rruga drejt integrimit europian kërkon standarde të qarta dhe të zbatueshme në praktikë, dhe në këtë proces certifikimi i bizneseve luan një rol shumë të rëndësishëm. Për bizneset shqiptare dhe ato të diasporës, certifikimi nuk është thjesht një formalitet, por një garanci besueshmërie në tregjet ndërkombëtare. Sa më shumë të afrohemi me këto standarde, aq më shumë rritet edhe potenciali për investime dhe bashkëpunime afatgjata.”, tha Arjan Ymeri, Drejtori i Agjencisë “Startup Albania”.

Për çdo të ri, student, shtetas shqiptar apo i huaj që ka një ide, qeveria vuri në dispozicion 3 milionë euro këtë vit. Dhe me rrugën drejt Bashkimit Evropian para, certifikimi duhet të jetë i panegociueshëm.

 “Në dy vitet e fundit kemi menaxhuar një buxhet prej rreth 6 milionë eurosh, i cili është orientuar në mbështetjen e 177 startup-eve në faza të ndryshme zhvillimi. Këto startup-e kanë një qasje dhe fokus të ndryshëm, duke reflektuar natyrën horizontale të inovacionit, por ne i japim prioritet edhe fushave strategjike që përputhen me politikat qeveritare. Në veçanti, teknologjia, turizmi dhe inteligjenca artificiale janë sektorë ku besojmë se Shqipëria ka potencial të madh rritjeje dhe konkurrueshmërie.”, tha Arjan Ymeri, Drejtori i Agjencisë “Startup Albania”.

Megjithëse janë bërë hapa para në drejtim të mbështetjes së ideve që mund të kthehen në biznes, në Shqipëri vetëm 1 në 10 ndërmarrje “Start-Up” arrin të mbijetojë dhe të jetë e qëndrueshme në treg. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos