Sytë te fotovoltaikët, bie prodhimi i energjisë elektrike, shkak mungesa e reshjeve

Nga A2 CNN
23 Maj 2025, 17:35 | Ekonomi

Ky vit nuk po rezulton i mbarë për prodhimin e energjisë elektrike. Nga gati 2.5 milionë megavat-orë në janar-marsin e 2024-s, në tremujorin e parë të vitit nga hidrocentralet, panelet diellore dhe ato eolike u prodhuan rreth 2.2 milionë megavat-orë energji. Tkurrja e prodhimit përllogaritet në 9.8 për qind.

Kontribut jo fort pozitiv dha prodhimi i energjisë nga panelet fotovoltaike.

“Diversifikimi është fjala kyçe për sistemin tonë energjetik. Ne jemi të përqendruar 100% ne prodhimin hidro. Në këto dy vitet e fundit kemi shtuar një përqindje të vogël në energji diellore. Janë duke u ndërtuar disa parqe gjeneratorësh të erës”, shprehet Anduel Çekrezi.

Për shkak të dimrit dhe turistëve jashtë-sezonalë, në tre muajt e parë të vitit u zgjerua edhe konsumi i energjisë elektrike. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në harkun e 3 muajve u përdorën gati 2.7 milionë megavat-orë energji elektrike nga më pak se 2.2 milionë në po të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë.

Rrjedhimisht nga jashtë u be më tepër energji. Nga rreth 535 mijë megavat-orë në janar-mars 2024, këtë vit importet arritën në mbi 767 mijë duke u zgjeruar me 43.4 për qind.

“Shumë të interesuar kanë qenë bizneset gjatë këtyre kohëve sepse bizneset e kanë koston energjisë gati dyfish dhe në qoftë se një familje e nxjerr koston fillestare për 5 ose 7 vjet, një biznes e nxjerr për 2 vjet ose 2 vjet e gjysmë. Institucionet ose qeveria qendrore duhet të merret me këtë pjesë sepse në shohim në shumë vende në Evropë kanë hequr TVSH-në për panelet fotovoltaike”, shton Çekrezi.

Me prodhimin e tkurrur dhe konsumin e zgjeruar, bilanci i energjisë elektrike në tremujorin e parë të vitit u mbyll me gati 35 mijë megavat orë të munguara. Nga ana tjetër, të dhënat nga INSTAT tregojnë se niveli i humbjeve në rrjet po vijon të tkurret. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos