Nga ish-zona industriale Kombinatit në Tiranë te ish-Azotiku në Fier, bashkë me uzinat e fabrikat në mbarë vendin... trashëgimi e së shkuarës komuniste e të lëna në harresë në demokraci, do të kthehen në parqe eko-industriale, raporton A2 CNN.
“E para, përmirësimi i kornizave rregullatore dhe politike, integrimi i kornizës ndërkombëtare të parqeve eko industriale për të zgjeruar konceptin e tyre në vendin tonë. I dyti, forcimi i kapaciteteve i këtyre parqeve që synojnë në kalimin në konceptin sa më të parë të parqeve që janë ekzistuese përmes fillimit të një pilotimi përmes këtij projekti. I treti është aktivizimi sa më energjik i kapitalit privat që implementojmë teknologji të reja, forcimin e teknologjisë ekzistuese aty ku jemi”, tha Blendi Gonxhja, ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Projekti që pritet të zgjasë deri në vitin 2027, me buxhet prej 600 mijë eurosh pritet t’i japë “një dorë” Shqipërisë edhe në drejtim të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian veç ekonomisë.
“Objektivi i BE është të stimulojë investimet dhe klimën e zhvillimit jo vetëm në Shqipëri por edhe në rajon. Thirrje edhe sektorit privat që të investojë, duam që të marrim investimet e tyre dhe prandaj parqet eko-industriale janë element i rëndësishëm. Këto parqe eko industriale mbështesin investimet, zhvillimin e ekonomisë dhe biznesit dhe kalimin në kalime më të mira dhe miqësore ndaj mjedisit”, tha Silvio Gonzato, ambasadori i BE-së në Tiranë.
Mjedisi është një prej kapitujve më të vështir՞ që Shqipëria duhet të përmbyllë me sukses me “unionin.”
“Parqet eko-industriale janë nismë që do të ketë mbështetjen e IFC dhe BE. Do të ndihmojmë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, për uljen e kostove dhe ndihmojmë bizneset. Ne do të japim asistencën tonë me këtë partneritet strategjik. Këto parqet janë më shumë se një përpjekje mjedisore, ndihmojnë në krijimin e vendeve të punës dhe zinxhirët e duhur të ofertës. Ne po mbështesim të gjitha përpjekjet e Shqipërisë për të krijuar hapësirën e duhur të investimeve”, tha Javier Suarez, menaxher Këshillimi në IFC.
Për këto qëllime u arrit edhe marrëveshja e Bashkëpunimit për forcimin e kuadrit të Shqipërisë për zhvillimin e parqeve eko-industriale. Ajo u nënshkrua nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja si dhe Javier Suarez, menaxher Këshillimi për Shtetet dhe Ekonomitë e Evropës në IFC. (A2 Televizion)