“Nami i mirë i dalë në vitin 2023 po vijon të mbajë gjallë kuriozitetin e turistëve të huaj për të ardhur në Shqipëri. Deri në prill, vendin e vizituan mbi 2.4 milionë pushues të huaj, në rritje me 6 për qind në raport me janar-prillin e një viti më parë. Megjithatë, ritmet e rritjes nuk po janë aq të forta sa në vitet paraardhëse.”
Nënë e bijë të sapoardhura nga jugu i Italisë na tregojnë edhe mbi “joshjen shqiptare” që po krijon një “pushtim të dytë” italian.
“Vij shpesh në Shqipëri. Në Tiranë është hera e parë. Kam qenë në Vlorë e Sarandë më parë”, tha për A2 CNN, Lucrezzia, turiste italiane.
“Është një vend në rritje e sipër. Deri 3-4 vite më parë te ne ka ekzistuar një perceptim jo fortë pozitivë për Shqipërinë. Po kur e shikon vetë, kupton që veçanërisht njerëzit janë miqësorë”, tha për A2 CNN, Miori, turiste italiane.
Dhe për të tërhequr sa më shumë turistë, “info point” po rezultojnë një zgjidhje mjaft e mirë. Gjermanët po rezultojnë ata më të interesuarit për t’u njohur me historinë e piramidës së Tiranës.
“Po përpiqem të marr informacion se si mund të ngjitem në majën e piramidës. Po kërkojmë ashensor nëse ka. Jemi shumë të lodhura që ta ngjisim me këmbë”, tha për A2 CNN, Laura, turiste gjermane.
Megjithatë jo çdo gjë po shkon vaj me turizmin edhe këtë vij. Problematikat me të cilat përballen pushuesit nuk mungojnë.
“Duhet të kesh para cash gjatë gjithë kohës. Jo të gjitha dyqanet, baret apo restorantet të lejojnë të paguash me kartë”, tha për A2 CNN, Emiliy, turiste italiane nga Siçilia.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se pjesa më e madhe e pushuesve që po vijnë në Shqipëri janë qytetarë europianë, ndjekur nga turistët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Azia dhe Afrika.
(A2 Televizion)