Eksperti i ekonomisë, Eduard Gjokutaj, i ftuar në studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN, deklaroi se është e nevojshme që skema e sigurimeve shoqërore të reformohet, si dhe shtoi se duhet vendosur minimumi jetik.
“Skema e sigurimeve ka defekte. Mënyra e llogaritjes ka nevojë për reformim sepse ka lënë jashtë një pjesë të madhe të punonjësve informalë, apo të emigrantëve. Arsyeja është se skema ka një kufizim, që po nuk pate kontribuar 15 vite, nuk merr pensionin minimal. Këta do jenë shumicë sepse do jenë pensionistët e viteve ’90 që ose kanë qenë informalë ose emigrantë, kështu që vitet nuk i kanë. Kur kjo skemë nuk siguron më shumë drejtësi, atëherë ne nuk kemi punuar as për sot dhe sidomos as për të ardhmen”, tha Gjokutaj.
“Nga ana tjetër, indeksimi duhet lidhur me shportën e konsumit. Jo të jetë 2,5%. Prandaj duhet edhe minimumi jetik sepse vendos një politikë që nuk të lejon të shkosh poshtë tij. Në atë moment merr orientim edhe buxheti. Minimumi nuk vendoset nga asnjë qeveri sepse të gjithë duan ta përdorin politikisht masën e pensionistëve”, shtoi eksperti i ekonomisë. (A2 Televizion)