Enti Rregullator i Energjisë i dha dritën jeshile uljes së çmimit të energjisë me 1 lekë për kilovat, që në një përllogaritje vjetore, sipas qeverisë, kursehen 100 euro në vit për familje.
“Kush është dakord me propozimim? Dakord! Dakord! Dakord! Dakord!”
Nëse shkurtin e shkuar për një faturë me 600 kilovat-orë energji elektrike të harxhuar keni paguar 6 mijë e 840 lekë, këtë vit do të nxirrni nga xhepi 6 mijë e 120 lekë. Kursimi përllogaritet në 720 lekë në muaj në këtë rast. Kjo pasi nga muaji i ardhshëm e të paktën deri në fundin e këtij viti, një kilovatorë energji elektrike e konsumuar nuk do të kushtojë më 9.5 lekë, por 8.5 lekë. Me gjithë tatimin mbi vlerën e shtuar, për çdo kilovatorë energji të konsumuar do të paguhen 10.2 lekë, në vend të 11.4 lekëve, transmeton A2 CNN.
“Nga pikëpamja e eficencës së energjisë, nuk jemi më në kushtet e nivele drastike, por eficenca e kompanisë është rritur dukshëm”, tha Petrit Ahmeti, kryetar i Entit Rregullator të energjisë.
Por që të përfitojnë nga ulja e çmimit të energjisë elektrike, familjet nuk duhet të konsumojnë më shumë se 700 kilovatorë në muaj. Nëse kjo fashë tejkalohet sikur edhe me vetëm 1 kilovat, atëherë çmimi i gjithë faturës do të përllogaritet me 9.5 lekë për kilovatorë pa TVSH apo 11.4 lekë me TVSH, raporton A2 CNN.
“Kjo bën që edhe pjesa tjetër e konsumatorëve të përdorë më me eficiencë energjisë elektrike, në mënyrë që mund të futen brenda këtij lloj konsumit që do të trajtohet me çmim të diferencuar. Sot flasim për një koncept kategori konsumatorësh, dhe deri në një sasi ta caktuar është një çmim”, theksoi Ahmeti.
Nga vendimi i propozuar nga qeveria dhe miratuar në mbledhjes e së mërkurës nga Bordi i Entit Rregullator të energjisë do të përfitojnë deri në 1 milionë e 70 mijë abonentë familjarë, të cilët përbëjnë 95 për qind të totalit të konsumatorëve në vend. (A2 Televizion)