Në një Shqipëri që pret miliona turistë dhe ku vera ka ndezur etjen, frigoriferët e lokaleve po mbushen çdo ditë me birrë... por jo me atë shqiptare.
Shishet e kanoçet që serviren nëpër bregdet, qytete historike apo edhe në male, vijnë gjithnjë e më shpesh nga jashtë, shkruan A2.
Nga Gjermania, Çekia apo Belgjika, importet e pijes alkoolike në pesë muajt e parë të vitit arritën në mbi 18 900 tonë, duke u zgjeruar me 7,6% në raport me një vit më parë.
Arsyeja? Ajo shqiptare është rënduar nga akciza, çka e bën më pak konkurruese në raft dhe në gotë. Turistët nuk pyesin, pinë. Ndërsa prodhuesit vendas shtrëngojnë dhëmbët dhe shohin si importet kalojnë kufirin me shishe të freskëta dhe çmime konkurruese.
Stefan Pinguli, anëtar i Shoqatës së Prodhuesve, thotë: “Politikat fiskale që rëndojnë birrën e prodhuar në Shqipëri po e çojnë tregun drejt pabarazisë. Është paradoksale që një birrë e prodhuar në vend të jetë më e shtrenjtë sesa ajo e importuar”.
Në këtë garë mes gotave, ekonomisë dhe politikave fiskale, birra shqiptare po mbetet gjithnjë e më shumë jashtë tavolinave. E ndërsa konsumi rritet, industria vendase kërkon të mos derdhet edhe më shumë në harresë. (A2 Televizion)