Qeveria ka rinisur betejën...me bindjen për ta fituar më në fund luftën. Këtë herë jo vetëm për të arkëtuar çdo lek të padeklaruar, por edhe në emër të sigurisë ushqimore.
“Duhet të kuptohet që nëpërmjet faturës ne jemi në gjendje të bëjmë një gjurmueshmëri të produktit nga ferma, te tregtari e deri te tryeza e konsumatorëve. Ju bëj thirrje të gjithë tregtarëve me pakicë që të fillojnë dhe të sigurojnë faturat e tyre të blerjeve për çdo mall që ata blejnë”, shprehet ministri Malaj.
Me aksione që shkojnë nga brigjet e plazheve te rrugicat e dyqaneve e tregjeve të lagjeve, Task Forca anti-informalitet ka ndezur radarët për të zbuluar çdo qindarkë që i shpëton shtetit.
“Më së shumti fokusi do duhet të jetë te siguria ushqimore dhe te gjurmimi. Pra nga momenti i prodhimit deri te momenti që vjen te tavolinat tona se sa te anna fiskale. Sigurisht që kjo rëndësinë e vetë, por qëllimi kryesor do duhet të jetë fakti që ai produkt të ketë cilësinë e duhur”, shprehet Ergis Sefa.
Qeveria thotë se aksioni kundër informalitetit është më shumë se një fushatë– është përpjekja për të ndalur rrjedhjen e parasë që zhduket pa lënë gjurmë. Po do duhej të riniste nga dyqanet e lagjeve “beteja”? A janë ata mëkatarët më të mëdhenj?
Në mendimin tim, jo! Padyshim që evazorët më të mëdhenj, aty ku do duhet fokusuar vëmendja janë grosistët. Pra dora e parë. Pika e shumicës. Fillohet me ata dhe më pas zbritet zbitet te dora e fundit që janë ata ku ne blejmë. Kam përshtypjen se është nisur pak mbrapsht”, shton eksperti Sefa.
Po cila është rruga që do duhej të ndiqej?
“Nuk ka nevojë të shpikim rrotën, sepse vendetë tjera e të mëdha i kanë dhënë recetat. Sekreti i luftës kundër informlitetit ose edhe i luftës ndaj korrupsionit të përgjithësi është vazhdimësia. Pra jo vetëm goditjet aksionare të herë pas hershme por një punë e përditshme e institucioneve”, shton ai.
Prej datës 14 korrik, inspektorët e Tatimeve janë duke kryer kontrolle në terren për të evidentuar rastet kur produktet blegtorale tregtohen pa faturë. Sipas të dhënave nga Administrata Tatimore, janë inspektuar 87 subjekte dhe janë bllokuar 20 ton mallra, që janë gjetur pa faturë. (A2 Televizion)