Pritshmëritë e strukturave kryesore akomoduese përgjatë bregdetit të Durrësit nuk reflektojnë numrin e turistëve që ndodhen aktualisht aty.
Një nga administratorët e një prej resorteve në bregdetin e Adriatikut tregon arsyet.
“Pritshmëritë për muajin korrik kanë qenë pak më të larta. Ka ndodhur një fenomen, shumë hotele në qytetin e Durrësit kanë preferuar të mos ja shesin dhomat agjencive, por t’i shesin vetë me klientët e minutës së fundit. Megjithatë, kjo është kthyer në boomerang”, tha Blerim Norja, administrator resorti.
Duke iu referuar tipologjisë së turistëve, administratorët e hoteleve shprehen se të huajt i nisin pushimet shumë herët, ndërsa shqiptarët kufizohen kryesisht në periudhën 20 korrik – 20 gusht. Por, pavarësisht kësaj, turistët shqiptarë janë më dorëlëshuar përtej paketës që paguajnë, shkruan A2 CNN.
Jo vetëm përgjatë bregdetit të Durrësit, por edhe në rivierën e jugut, njësitë akomoduese duket se nuk kanë përmbushur pritshmëritë e tyre sa i takon numrit të pushuesve të akomoduar. (A2 Televizion)