Drogë drejt Greqisë! Arrestohen dy persona në Kakavijë, u zbuluan nga qeni antidrogë

Nga A2 CNN
31 Mars 2025, 16:09 | Kronikë

Policia e Kakavijës ka zbuluar një rast të trafikut të lëndëve narkotike drejt Greqisë. Gjatë kontrolleve intensive me mjete logjistike bashkëkohore, si edhe duke përdorur dhe qenin antidrogë, Policia gjeti të fshehura në brendësi të një automjeti, 60 pako me lëndë narkotike Cannabis Sativa, me peshë totale 63.2 kilogramë.

Në operacionin policor të koduar "Modifikimi”, u vunë në pranga drejtuesi i automjetit ku u gjet lënda narkotike dhe një shtetase që udhëtonte me të.

Gjatë kontrollit fizik të dy shtetasve, Policia gjeti dhe 1890 euro.

Njoftimi i Policisë Kakavijë

Shërbimet e Policisë Kufitare si rezultat i kontrolleve të imtësishme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për trafikim të lëndëve narkotike, si rezultat i intensifikimit të kontrollit, bazuar dhe në analizën e riskut dhe inteligjencës policore, në bashkëpunim me autoritetet doganore, kanë kaluar për kontroll të detajuar në vijën e dytë, në dalje, automjetin që drejtohej nga shtetasi O. K.

Nga kontrolli i imtësishëm, duke përdorur edhe teknikat bashkëkohore të kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në një vend të fshehtë të krijuar posaçërisht në parafangot e automjetit dhe në shasinë e automjetit, 60 pako të mbështjella me natriban, brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar Cannabis Sativa, me peshë totale 63.2 kilogramë.

Në vijim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve të DVP Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasit:

-O. K., 44 vjeç, banues në Fier, shoferi i automjetit; 

-E. Xh., 45 vjeçe, banuese në Fier, pasagjere në automjetin ku u gjet lënda narkotike.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan  63.2 kilogramë Cannabis Sativa, 3 celularë, automjeti dhe 1890 euro.

Strukturat e DVP Gjirokastër në bashkëpunim me DVP Fier në drejtimin e Prokurorisë Gjirokastër po vazhdojnë kryerjen e veprimeve hetimore për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet proceduarale do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos