Sulm me armë në Fushë-Krujë, breshëri plumbash lokalit të ish-shoferit të prokurorit Arjan Ndoja

Nga Xhensila Kodra
20 Qershor 2025, 15:08 | Kronikë

Qëllohet me breshëri kallashnikovi drejt lokalit të ish-shoferit të ish-prokurorit Arjan Ndoja, tashmë deputet i zgjedhur i PD nga zgjedhjet parlamentare të 11 Majit. Denoncimi në polici u bë nga vetë pronari i biznesit, Mondi Voga. Ngjarja ndodhi pak pas mesnatës të së enjtes, në fshatin Krastë të Fushë-Krujës.

Fatmirësisht nga të shtënat nuk ka persona të lënduar, por vetëm dëme materiale. Pjesa më e madhe e plumbave janë konstatuar në katin e parë të ndërtesës, të cilat kanë depërtuar deri në banak. Ndërsa katete e sipërme shërbenin si hotel, shkruan A2 CNN.

Autorët e sulmit me armë janë ende të paidentifikuar nga policia. Ata dyshohet se kanë dalë nga zona e pyllëzuar që ndodhet përballë me biznesin e Vogës dhe kanë qëlluar në drejtim të lokalit, ndërsa mbanin kapuçë në kokë për të mos u identifikuar. Pas atentatit, ata janë larguar në këmbë në drejtim të pyllit, ku dyshohet se më pas janë ndihmuar nga persona të tjerë për tu larguar me ndonjë automjet prej andej.
Hetimet për këtë ngjarje janë shtrirë në disa pista, si konfliktet e mëparshme që Mondi Voga ka pasur, apo edhe ndonjë konflikt për çështje pronësie. Vetë Voga ka mohuar në polici që të ketë konflikte me njeri.

Më herët ai ka qenë i arrestua në 2020 nga Policia Rrugore në Tiranë, pasi lëvizte me makinë të blinduar e fenelina policie. Voga u padit edhe nga avokati Ilia Ilia se ishte një nga personat që e kishte dhunuar në Durrës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos