12-vjeçari duke ngarë Jet Ski në Dhërmi, gjobitet pronari i mjetit

Nga A2 CNN
2 Gusht 2026, 19:56 | Kronikë

Shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare, përballë plazhit të Dhërmiut, konstatuan një mjet lundrues tip Jet Ski, në drejtimin e të cilit ndodhej një shtetas 12-vjeçar.

Menjëherë, shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare ndaluan mjetin lundrues dhe, gjatë verifikimeve, rezultoi se drejtuesi ishte 12 vjeç, ndërsa mjeti nuk dispononte në bord dokumentacionin e detyrueshëm.

Për këto shkelje, pronari i mjetit lundrues, shtetasi M. Xh., u ndëshkua me masë administrative 10 000 lekë të rinj, si dhe u bë bllokimi i mjetit lundrues.

Policia Kufitare apelon për qytetarët dhe subjektet që japin me qira mjete lundruese të mos ua besojnë në asnjë rast këto mjete të miturve ose personave që nuk plotësojnë kushtet ligjore për drejtimin e tyre. Drejtimi i mjeteve lundruese nga të miturit rrezikon jetën dhe shëndetin e tyre, si dhe sigurinë e pushuesve dhe përdoruesve të tjerë të hapësirave detare.

Policia Kufitare vijon kontrollet e pandërprera në të gjithë vijën bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë në det, parandalimin e shkeljeve të perimetrit të sigurisë dhe zbatimin me përpikëri të rregullave të lundrimit.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos