Policia gjermane ka vënë në pranga një 44-vjeçar shqiptar, i cili ishte në kërkim në vendin tonë pasi dyshohet se 3 vite më parë shiste kokainë në lokalin e tij në Pogradec.
Po ashtu, në pranga është vënë edhe një 20-vjeçar, i cili akuzohet për vjedhje në Paskuqan.
“Finalizohet në bashkëpunim me partnerët gjermanë, operacioni policor i koduar “Exchange 2”.
Arrestohet në Gjermani, një shtetas që akuzohet se në vitin 2022, ka shitur Kokainë në mënyrë të përsëritur në lokalin e tij, në Pogradec.
Gjatë operacionit u kap dhe një shtetas tjetër, i dënuar si bashkëpunëtor për vjedhje të kryer në Paskuqan, në vitin 2023.
Si rezultat i sigurimit të informacioneve dhe shkëmbimit të tyre, nëpërmjet Interpol Tiranës, me Interpol Ëiesbaden, u finalizua operacioni policor i koduar “Exchange 2”. Në kuadër të operacionit, Policia gjermane lokalizoi dhe arrestoi provizorisht, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasit B. S., 44 vjeç dhe K. Gj., 20 vjeç.
•Në vitin 2022, Gjykata e Korçës i ka caktuar 44-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi dyshohet se në mënyrë të përsëritur, ka shitur lëndë narkotike Kokainë, në lokalin e tij, në Pogradec.
•Në vitin 2024, Gjykata e Tiranës e ka dënuar 20-vjeçarin, me 6 muaj burgim, për vjedhje.
Vijon bashkëpunimi ndërmjet strukturave homologe të Interpolit, për të finalizuar procedurat për ekstradimin e 2 shtetasve, në Shqipëri”, njofton policia. (A2 Televizion)