7 muaj në detyrë, dorëhiqet Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Ardriatik Kupi

Nga A2 CNN
12 Tetor 2026, 10:02 | Kronikë

Shtatë muaj pas marrjes së detyrës, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve ka dhënë dorëheqjen përmes një deklarate në rrjetet sociale. Adriatik Kupi shprehet se për të kjo nuk ishte një periudhë e lehtë, pasi kishte probleme që, siç thotë ai, kërkonin ndërhyrje të menjëhershme, që nuk mund të shtyheshin as për pak minuta.

“Ka pasur edhe kritika, kundërshtime dhe gurë të hedhur mbi këtë punë. Kritikën jam përpjekur ta dëgjoj edhe kur ka qenë e vështirë. Përballë pengesave kemi vazhduar të punojmë. Për disa gjëra të tjera, koha do të flasë më qartë se unë sot”, tha ai, përcjell A2 CNN.

Në këta pak muaj në detyrë, Kupi shton se e përqendroi punën te forcimi i sigurisë, mirëadministrimi dhe modernizimi i sistemit.

“Besoj se një sistem penitenciar modern matet edhe me mënyrën se si i trajton njerëzit, me respektimin e të drejtave të tyre, me transparencën dhe me mundësitë reale që u jep për t’u rehabilituar e për t’u rikthyer në shoqëri. Kjo ka qenë bindja që më ka udhëhequr në këtë detyrë”, tha Kupi.

Megjithatë, në reagimin e tij, Kupi nuk përmend emra konkretë dhe as sqaron se kujt i referohet kur flet për kritika, kundërshtime dhe pengesa gjatë ushtrimit të detyrës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos