A vazhdon ndalimi për monopatinat? Policia po kthen mjetet e bllokuara, Koçiu: Udhëzimi qëndron

Nga A2 CNN
5 Shkurt 2026, 23:19 | Kronikë

Katër muaj më parë, në mënyrë të papritur, mbi bazën e një udhëzimi të Ministres së Brendshme që sapo kishte marrë detyrën, Albana Koçiu, policia nisi një aksion masiv në kryeqytet për ndalimin e përkohshëm të monopatinave. 

Në vetëm pak ditë u bllokuan rreth 2000 monopatina, të cilat u grumbulluan nëpër komisariatet e Tiranës. Qytetarëve iu tha që monopatinat do t'u riktheheshin pasi të përfundonte hartimi i një udhëzimi, rregulloreje për përdorimin e tyre në qendrat urbane.

Në fakt, aksioni zgjati disa ditë dhe në vazhdën e ngjarjeve të tjera që pasuan policia u angazhua në të tjera detyra. Por ndërsa pritej hartimi dhe miratimi i një rregulloreje të posaçme për lëvizjen e monopatinave në rrugët e qytetit, aksioni u shua gradualisht.

Ndërsa më datë 24 tetor u zhvillua edhe mbledhja në Ministrinë e Brendshme në praninë e të gjithë aktorëve për të diskutuar lidhur me hartimin e rregullores. Ky takim u publikua nga Ministria. Kur kanë kaluar 3 muaj e gjysmë nga kjo mbledhje, rregullorja ende nuk është miratuar.

Në mungesë të një rregulloreje konkrete dhe kontrolleve në terren, edhe sipas një vëzhgim që A2CNN bëri, monopatinat u rikthyen në rrugë dhe çdo qytetar mund të lëvizë sërish me monopatinë elektrike pa ndonjë kufizim dhe pa u ndalur nga policia. Madje, edhe efektivët e qarkullimit rrugor, kur i kemi pyetur, shprehen se janë të angazhuar vetëm me trafikun.

Ndërkohë, prej disa kohësh ka nisur edhe kthimi i monopatinave të bllokuara më herët, por ky proces po shoqërohet me problematika. Në disa raste, qytetarët deklarojnë se nuk po i gjejnë më monopatinat e sekuestruara nga policia, duke ngritur dyshime mbi mënyrën e administrimit dhe ruajtjes së tyre. Ndërkohë, lidhur me faktin që monopatinat e bllokuara më parë po i kthehen qytetarëve, A2CNN e mori fillimisht informacionin nga qytetarët që u ishin marrë monopatinat dhe tashmë po u ktheheshin dhe më pas e vërtetoi këtë fakt duke pyetur në polici. Edhe në një mbledhje informale me gazetarët, Ministria e Brendshme konfirmoi faktin se monopatinat po u kthehen qytetarëve. Kujtojmë që pas 12 tetorit kur nisi aksioni masiv i ndalimit dhe sekuestrimit, qytetarëve u tha se kur të miratohej rregullorja do u ktheheshehin monopatinat.

Por, pas transmetimit të këtij lajmi, përmes një postimi në rrjetet sociale Ministrja e Brendshme Albana Koçiu ka deklaruar se "udhëzimi për ndalimin e qarkullimit me monopatina mbetet në fuqi". Duke reaguar për lajmin e A2CNN ministrja Koçiu tha se "nuk ka asnjë vendim për heqjen e masës së ndalimit të përkohshëm. Policia e Shtetit vijon angazhimin e përditshëm në terren për garantimin e zbatimit të plotë të këtij udhëzimi, në përputhje me njoftimet zyrtare të bëra më herët". 

Më tej, Koçiu shton: "Shpreh mirënjohje për qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin në respektimin e kësaj mase, e cila synon mbrojtjen e sigurisë dhe jetës, në veçanti të të rinjve. Të dhënat e Policisë së Shtetit dhe të shërbimeve të traumës konfirmojnë një rënie të ndjeshme të numrit të aksidenteve gjatë periudhës së zbatimit të saj. Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, po vijon vlerësimin e situatës për të përcaktuar vendimmarrjen më të drejtë, duke vendosur në qendër të çdo hapi sigurinë dhe jetën e çdo qytetari"

Në fakt, A2CNN nuk ka vënë në dyshim nëse është apo jo në fuqi udhëzimi i parë i ministres së Brendshme, por ka fotografuar situatën në terren kur aksioni nuk ka vazhduar më pas javës së parë të tij dhe se në rrugë mund të shihen përditë lëvizjet e qytetarëve me monopatina.

Katër muaj më parë, kur lajmëruan aksionin për bllokimin e përkohshëm të monopatinave, ministrja e Brendshme Albana Koçiu në një dalje me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda, deklaruan se shumë shpejt do të dilte udhëzimi për funksionimin e qarkullimit të monopatinave.

Katër muaj më pas, ky udhëzim nuk ka dalë ende. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos