Policia ka publikuar pamjet e aksidentit që degjeneroi edhe në dhunë, ditën e sotme në Vlorë, duke dhënë edhe sqarime për ngjarjen.
Bëhet me dije se është arrestuar 25-vjeçari, i cili në një video te publikuar më herët nga A2 CNN u pa duke përplasur me vetëdije të plotë, me forcë mjetin e tij tip “Mercedes Benz”, me një makinë, me të cilën ishte aksidentuar më herët.
“Menjëherë pas konstatimit nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të cilët ndodheshin jashtë shërbimit, si dhe nga strukturat e tjera të DVP Vlorë që ishin në shërbim, se dy drejtues mjetesh, në vendin e quajtur “Rrethi i Skelës”, ishin përfshirë në një konflikt, ku njëri prej tyre, shtetasi E. H., 25 vjeç, po godiste në mënyrë të përsëritur me automjetin e tij, automjetin e shtetasit G. D., 18 vjeç, duke i rrezikuar jetën, ndërhynë menjëherë duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit dhe duke neutralizuar shtetasin E. H. Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin E. H., për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera”, parashikuar nga neni 154 i Kodit Penal, dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, parashikuar nga neni 274 i Kodit Penal”, njofton policia. (A2 Televizion)