Vranë 20-vjeçarin në qendër të Fierit, jepet dënimi për dy vëllezërit

Nga Çaku Tafa
23 Qershor 2025, 14:55 | Kronikë

Vranë 20-vjeçarin në qendër të Fierit, jepet

Ka përfunduar seanca gjyqësore dhe është dhënë vendimi për autorët e vrasjes së 20-vjeçarit Grei Bihuci, i cili u qëllua për vdekje më 11 mars 2024, në qendër të qytetit të Fierit.

Mesditën e sotme janë paraqitur të gjitha palët në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit Fier, ku seanca është zhvilluar nën masa të rrepta sigurie.

Trupi gjykues përbëhej nga kryetari Genci Busho dhe anëtarët Vladimir Cjapi e Elira Hroni. Prokuror i çështjes ishte Petrit Vukaj, ndërsa dy të akuzuarit u mbrojtën nga avokati Ervis Goxhaj.

Pas leximit të fakteve dhe dëshmive të dhëna në Prokurori, prokurori Vukaj kërkoi shpalljen fajtor të të pandehurve. Për Florian Mukën u kërkua 25 vjet burg, ndërsa për të miturin K.M., kushëririn e Florianit, 12 vjet burg, shkruan A2 CNN.

Nga ana e saj, mbrojtja deklaroi se Florian Muka e ka pranuar vrasjen, duke thënë se e ka kryer në kushte vetëmbrojtjeje. Ndërsa i mituri, 16-vjeçari K.M., vëllai i autorit, pohoi se ka qenë i pranishëm në vendngjarje gjatë sherrit, por nuk ka ndërmarrë asnjë veprim. Të dy të pandehurit kërkuan falje dhe shprehën pendesë për veprimet e kryera.

Akuza për Florian Mukën ishte “vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim”, sipas nenit 78/1 të Kodit Penal, për të cilën prokuroria kërkoi 25 vjet burg. Por duke marrë parasysh pranimin e fajësisë dhe pendesën, ai u dënua me 12 vjet burg, në bazë të nenit 76 të Kodit Penal.

Për të miturin K.M., u kërkua dënimi me 12 vjet burg, por ai u dënua vetëm për moskallëzim krimi, me 1 vit burg, të cilin e ka kryer gjatë paraburgimit, ndaj është lënë i lirë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos