Pesë të plagosur është bilanci i një aksidenti rrugor që ka ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin që lidh Korçën me Kapshticën.
Mësohet se në mjet ka dalë nga rruga duke përfunduar në kanal e për pasojë janë dëmtuar drejtuesi dhe 4 pasagjerët që udhëtonin në të.
"Mbrëmjen e sotme, në aksin rrugor "Korçë-Devoll", në rrugën dytësore në drejtim të fshatit Progër, shtetasi N. P., 18 vjeç, duke drejtuar automjetin tip "Volvo", dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij, dhe automjeti ka dalë nga rruga. Si pasojë janë dëmtuar 4 shtetas pasagjerë në mjet, të cilët ndodhen për mjekim në spital, jashtë rrezikut për jetën. Me shtetasin N. P., po kryhen veprimet e mëtejshme proceduriale."
Të gjithë të lënduarit janë transportuar për në spitalin e Korçës ku janë duke u trajtuar me ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Sipas policisë shkak për aksidentin është bërë shpejtësia e madhe e mjetit dhe mungesa e ndriçimit në rrugë. (A2 Televizion)